Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka caktuar për më 28 maj seancën konstituive të përbërjes së re parlamentare. Në përbërjen e re, VMRO – DPMNE do të ketë shumicën parlamentare, e cila në zgjedhje mori 58 deputetë, LSDM, e cila për dy mandate kishte shumicën parlamentare, në përbërjen e ardhshme do të ketë 18 deputetë, Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI do të ketë po ashtu 18 deputetë, koalicioni VLEN 14, ndërsa e Majta dhe Lëvizja ZNAM nga gjashtë deputetë.
Ndërkohë, VMRO – DPMNE dhe VLEN-i po vazhdojnë negociatat për formimin e Qeverisë. Sipas deklaratave të përfaqësuesve të VMRO – DPMNE-së, së shpejti mund të bëhet e ditur se është arritur një marrëveshje përfundimtare qeveritare.
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Timço Mucunski, i cili është pjesë e grupit punues të VMRO-DPMNE-së për negociatat për qeverinë e re, mbrëmë ka njoftuar se palët janë afër marrëveshjes përfundimtare me VLEN, por nuk ka dhënë detaje. Ai gjatë një interviste për TV Sitel ka mohuar mundësinë për të koalicionuar me BDI-në.
“Ekziston një bindje te BDI-ja se ende në njëfarë mënyre VMRO – DPMNE dëshiron të bëjë koalicion me to. Kjo është absolutisht e pavërtetë. Do të formojmë qeveri reformuese me opozitën shqiptare. Jemi shumë afër marrëveshjes, ende nuk është arritur marrëveshja përfundimtare, por e konfirmoj se është e sigurt se jemi afër marrëveshjes përfundimtare me koalicionin VLEN” – tha Timço Mucunski, Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së.
Sa i përket numrit të deputetëve, ai tha se ka gjasa që koalicioni qeveritar të ketë edhe 80 deputetë, megjithatë kjo do të shqyrtohet në periudhën vijuese.
VMRO – DPMNE beson se, deri në fund të qershorit do të formohet qeveria e re. /tvklan.mk/