Partnerët e koalicionit po bëjnë konsultimet e fundit para dorëzimit të propozimit për Ministrat në Qeveri. Dihen thuajse të gjitha zgjidhjet dhe mund të pritet që Qeveria e re të formohet para afatit kushtetues.
Qeveria e re mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN dhe ZNAM pritet të formohet pas festës së Bajramit, më 19 ose 20 qershor, paralajmëroi Izet Mexhiti nga VLEN.
Sipas tij, për postin e Zv/Kryeministrit për Eurointegrime duhet të vendos Alternativa, kurse BESA për Ekonominë dhe Politikën Sociale.
Por, gjatë një deklarate për Kanal 5, Arben Taravari, konfirmoi se do të jetë Ministri I ri I shëndetësisë. Ai bëri publike dhe disa nga emrat e Ministrave të koalicionit VLEN.
“Izet Mexhiti do të jetë Zv/Kryeministri I Parë dhe Ministër për Ekologji. Zv/Kryeministër për Sundim të Mirë do të jetë Arben Fetai që ka lindur dhe jeton në Bruksel, do të kthehet për një ose dy vite në Maqedoni. Fatmir Limani me siguri do të jetë Ministër për Politikë Sociale. Këto janë emrat që I di dhe sonte do të dihet edhe Ministri për Ekonomi” – tha Arben Taravari, VLEN.
Në pritje të zyrtarizimit të Qeverisë Mickoski, sipas njoftimeve, në duart e koalicionit VLEN do të jenë Ministritë sikurse, Ekonomia, Eurointegrimet, Ekologjia, Politika sociale dhe Qeverisja e mirë.
Sipas burimeve jozyrtare, në eshalonin e tretë, koalicionit VLEN, do t`i takojnë 400 poste udhëheqëse, përfshirë edhe ato në nivel të njësive rajonale në mbarë vendin. /tvklan.mk/