Qeveria e re/ Finalizohet marrëveshja VMRO-VLEN për eshalonin e parë dhe të dytë?!

Grupet e Punës VMRO-VLEN duket se kanë finalizuar zgjidhjet kadrovike për eshalonin e parë dhe të dytë në ekzekutiv dhe ditëve në vijim pritet publikimi zyrtar.

Sipas krerëve të koalicionit VLEN, gjatë fundjavës, pritet që organet partiake të bëjnë miratimin e tyre.

Nëpër media janë publikuar njoftime jozyrtare për një pjesë të zgjidhjeve kadrovike, për të cilët pretendohet se është arritur marrëveshja.

Sipas njoftimeve, Zv/Kryeministër i Parë dhe Ministër për Ekologji do të jetë Izet Mexhiti, Zv/Kryeministër për Eurointegrime, Admirim Aliti, kurse Bujare Abazi pretendohet se do të ngarkohet për politika të sundimit të mirë.

Sipas të gjitha gjasave, Arben Taravari do të jetë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Spekulohet se kuadro të VLEN do të udhëheqin edhe me ekonominë dhe politikën sociale. Për ekonominë përmendet emri i Besar Durmishit të Besës aktualisht Kryesues I Këshillit të Komunës së Tetovës.

VLEN do të fitonte edhe numër të konsiderueshëm të zv/ministrave dhe sekretarëve shtetëror.

Gjatë kësaj kohe qarkullojnë edhe njoftime jozyrtare se një pjesë e partnerëve të Frontit Evropian mund t`i bashkangjiten shumicës.

Izet Mexhiti gjatë një interviste për mediat shqiptare ka paralajmëruar se në shumicën e re do të jenë edhe 3 deri 4 deputetë të Frontit Evropian.

“Mund të them se nga 18 deputetët e Frontit, tre deri katër me një këmbë janë pjesë e shumicës së re. Nuk do t`i them emrat e tyre, por atje janë dy parti turke, kurse komuniteti turk s`ka kapacitete dhe potencial të mbetet katër vite në opozitë. Ka edhe deputetë të tjerë që në të kaluarën ishin konfrontuar me Ahmetin. Për momentin janë bashkë dhe u bashkuan që të mbijetojnë” – tha Izet Mexhiti.

Ndërkohë, Kreu i Partisë Demokratike Turke, Bejxhan Iljas, gjatë një prononcimi për Klan M, ka përgënjeshtruar pohimet e Izet Mexhitit nga koalicioni VLEN se deputetë të partive turke do t`i bashkangjiten shumicës së re.

Sipas Iljasit, PDT-ja mbetet pjesë e Frontit Evropian dhe bashkë me drejtuesit e këtij Fronti do ta zhvillojnë “betejën” për legjitimitetin.

“Nuk ka nevojë që Izet Mexhiti dhe koalicioni VLEN të shqetësohen për PDT-në. Ne mbetemi të përkushtuar për të qenë pjesë e Frontit Evropian dhe bashkë do ta bëjmë “betejën” për të dëshmuar legjitimitetin. Informacionet e këtilla i shërbejnë politikës ditore kurse PDT-ja vendimet i merr në organet partiake” – tha Bejxhan Iljas.

Negociatat për qeverinë e re janë duke përfunduar në kohën kur Fronti Evropian paralajmëroi se nis betejën për legjitimitetin. Nga ky front reagojnë se krahas fitores në zgjedhjet e dyfishta dhe pasi doli si forcë e dytë politike në vend, nuk respektohet vullneti i qytetarëve. Por, nga ky front nuk kanë saktësuar se në cfarë forme do të zhvillohet kjo “betejë”.  /tvklan.mk/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share