Qeveria e Kosovës heq regjimin e letrës ngjitëse për automjetet me targa serbe

Qeveria e Kosovës njoftoi të enjten vonë se ka vendosur ta shfuqizojë vendimin për vendosjen e letrës ngjitëse në automjetet me targa serbe.

Vendimi i Qeverisë kosovare vjen pasi Serbia vendosi t’i lejoi automjetet me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti tha se heqja e regjimit të letrës ngjitëse nga ana e saj “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.

Vendimi i saj do të hyjë në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.

Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje së pari më 2011, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Pas tensioneve që shkaktoi çështja e targave, në Shtator 2021 u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Ajo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

Për disa qytetarët serbë në veri të Kosovës, vendimi i Qeverisë së Serbisë për targa RKS ka qenë i “mirë” e për disa të tjerë “tradhti”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 31 Dhjetor se vendimin për ta lejuar lëvizjen e lirë të automjeteve me targa RKS nëpër Serbinë qendrore, qeveria e tij ka shmangur “grackat dhe rreziqet e mëdha” për vendin.

“Interesi ynë është Ballkani i Hapur dhe liria e lëvizjes, e cila vlen edhe për automjetet. Mendoj se nga ky vendim do të përfitojnë populli serb dhe Serbia në tërësi. Me këtë dhe disa gjëra të tjera kemi shmangur grackat dhe rreziqet e mëdha për Serbisë”, tha Vuçiç.

Vendimi i Beogradit u mirëprit nga Bashkimi Evropian, i cili e cilësoi atë si hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, vendimi i Qeverisë serbe për targat RKS ishte tregues se “të gjitha destabilizimet” që i ka bërë Serbia në lidhje me to ndër vite kanë qenë “të palogjikshme dhe të panevojshme”. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share