Qerim Qerimi zgjidhet rektor i ri i UP-së

Me vota të fshehta, Qerim Qerimi, profesor i Fakultetit Juridik është zgjedhur rektor i ri i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, raporton Ekonomia Online.

Me gjashtë vota për, Këshilli Drejtues ka zgjedhur Qerimin për rektor me mandat të përgjysmuar.

Kandidati Sefer Avdiaj ka marrë një votë, Ermir Rogova një votë dhe Butë Dedaj një votë.

Qerimi, para votimit, shpalosi Planin e tij për universitetin. Mes tjerash, ai theksoi se synon rishikimin e statutit të UP-së dhe rritjen e bashkëpunimit me studentët.

Për rastet e plagjiaturave, një temë e aktualizuar kohët e fundit, ai theksoi se mund t’i zgjidhet përmes ndërhyrjes së profesorëve ndërkombëtarë.

Për këtë pozitë kishin aplikuar: Sefer Avdijaj nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), But Dedaj nga Fakulteti Ekonomik, Ermir Rugova nga FSHMN, Qerim Qerimi nga Fakulteti Juridik, Sali Salihu nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Ilir Tolaj nga Fakulteti Mjekësisë.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kishte emëruar si ushtruese të detyrës së rektorit, Luljeta Plakolli-Kasumin, profesoreshë në Fakultetin Juridik.

Konkursi ishte shpallur pasi më 21 tetor 2022, ish-rektori Naser Sahiti ishte shkarkuar nga Këshilli Drejtues i UP-së, me arsyetimin se kishte treguar performancë të dobët dhe mospërmbushje të detyrave të menaxhmentit të lartë sipas përcaktimeve të ligjeve dhe Statutit në fuqi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share