Qazim Laçi, mungesa e vetme kuqezi! Formacioni i mundshëm anti-Çeki

Qazim Laçi do të jetë mungesa e vetme në dispozicion të Sylvinho për duelin kualifikues të Euro2024 përballë Republikës Çeke. Mesfushori nuk ka udhëtuar drejt Pragës për shkak të gjendjes gripale, fakt që kushtëzon deri diku alternativat e stafit teknik për lojtarët që do të hedhë në fushën e lojës. Në konferencën për shtyp, Sylvinho pranoi se nuk ka vendosur ende për futbollistët që do e nisin titullarë. Me skemën e përdorur edhe në duelet e fundit, një 4-3-2-1 në formë piramide, kuqezinjtë do të kërkojnë që të marrin maksimumin.

Penalltia e pritur ndaj Juventusit duket se do ketë rritur shanset e Etrit Berishës për ta nisur nga minuta e parë në portë, ndërsa para tij pritet të rreshtohen nga e djathta në të majtë, Balliu, Ismajli, Gjimshiti dhe Hysaj. Mesi i fushës mendohet se do të formohet nga Ramadani, Bajrami dhe Asllani, duke konfirmuar deri diku edhe atë që luajti përballë Ishujve Faroe.

Myrto Uzuni dhe Jasir Asani po kalojnë një moment fenomenal me skuadrat e tyre dhe besohet se kanë fituar edhe avantazhin me shokët e repartit, për të qënë kështu kandidat të fortë për fanellën e titullarit. Dyshja pritet të formojë repartin e sulmit së bashku me Sokol Cikalleshin, autorin e 3 golave në këtë sezon të ri me Konyaspor. Kuqezinjtë do të zbresin në fushë në orën 20:45 në stadiumin ‘Fortuna Arena’. Të gjithë shqiptarët do kenë mundësi për ta ndjekur LIVE dhe falas në televizionin kombëtar.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share