Presidenti rus, Vladimir Putin, vizitoi Teheranin këtë javë, për një takim me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ku ky e fundit e përgëzoi liderin rus për agresionin ndaj Ukrainës.
Moska po kërkon mënyra për të anashkaluar sanksionet e ShBA-së dhe BE-së, ndoshta duke mësuar nga ekspertiza e Iranit në përballjen ndaj sanksioneve, thonë vëzhguesit.
“Meqenëse Rusia dhe Irani janë nën sanksionet Perëndimore, të dyja kanë një interes të fortë për të bashkëpunuar për t’i penguar ato”, tha Mark Katz, profesor në Universitetin George Mason.
Rusia gjithashtu duket se po përdor perspektivën e dërgesave të grurit në Iran, në këmbim të ndihmës së Teheranit për të anashkaluar sanksionet.
Nga ana e Iranit, i shkëputur gjithashtu nga sistemi bankar global nga sanksionet Perëndimore, Teherani mund të shpresojë se me mbështetjen e Rusisë mund të bëjë presion ndaj Uashingtonit për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të 2015-ës, të hedhur poshtë nga ish-presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
Në vitin 2019, ekspertët Perëndimorë besonin se revolucioni 40-vjeçar i Iranit mund të zhbëhej me një rritje prej 50 përqind të çmimit të karburantit. Forcat e sigurisë së vendit iu përgjigjën pamëshirshëm protestave që pasuan, dhe regjimi është ende në vend.
Irani dhe Rusia janë konkurrentë në eksportet e hidrokarbureve. Shitja e fundit e Rusisë e naftës dhe çelikut me çmime të zbritura në Kinë ka dëmtuar Iranin, të cilit i është dashur të ulë çmimet për të mbetur konkurrues.
Vëzhguesit vërejnë se sanksionimi i Rusisë dhe Iranit në të njëjtën kohë mund të mos jetë mënyra më e mirë për t’i dëmtuar shtetet.
Katz tha se një qasje më logjike do të ishte që qeveritë Perëndimore t’i fokusonin sanksionet tek njëri shtet, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.
“Nëse Rusia është aktualisht një kërcënim shumë më i madh për interesat Perëndimore, atëherë ajo që qeveritë Perëndimore mund të bëjnë është të ofrojnë heqjen e sanksioneve kundër Iranit. Në një kohë kur ShBA dëshiron që Evropa të ndalojë blerjen e naftës ruse, por furnizimet shtesë nga aleatët e Amerikës në botën arabe nuk janë të disponueshme, atëherë blerja e naftës iraniane në vend të naftës ruse ka kuptim për Evropën”, përfundoi Katz.