Putin vlerëson se kundërofensiva e Ukrainës ka dështuar

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten, më 9 qershor, se kundërofensiva e madhe që Ukraina ka përgatitur prej muajsh, ka “filluar” në front, por se forcat e Kievit nuk kanë mundur “të arrijnë qëllimet e tyre”.

“Mund të themi, plotësisht, se ofensiva ka filluar, gjë që dëshmohet nga përdorimi i rezervave strategjike të Ukrainës”, tha Putin në një video-incizim, i cili është transmetuar në Telegram nga një gazetar i televizionit publik rus.

Sipas tij, luftimet kanë vazhduar për pesë ditë, por “forcat ukrainase nuk ia kanë arritur qëllimit në asnjë front”, shkruan AFP.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

“Të gjitha përpjekjet kundërofensive, deri më tani kanë dështuar, por regjimi ukrainas ka ende potencial sulmues”, shtoi Putin dhe deklaroi se përgjigja e Rusisë “do të bazohet në atë vëzhgim”.

Ushtria ruse ka raportuar se ditët e fundit janë zhvilluar luftime intensive në jug të Ukrainës, duke pretenduar se ka zmbrapsur disa sulme ukrainase, të cilat do të paraqisnin fillimin e një kundërofensive të madhe, të cilën Shtabi i Përgjithshëm ukrainas e ka përgatitur për muaj të tërë.

Autoritetet e Ukrainës, ushtria e së cilës tani është e pajisur me pajisje moderne perëndimore, duket se po i zvogëlojnë luftimet. Autoritetet edhe më tej nuk flasin për strategjinë e tyre./REL

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share