Putin kërcënoi Perëndimin me armë bërthamore, çfarë pritet të bëjë Biden?

Presidenti i SHBA, Joe Biden pritet që t’i drejtohet Vladimir Putinit në një fjalim së shpejti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se thelbi i vizitës së presidentit në OKB këtë vit do të ishte një dënim i plotë i Rusisë teksa lufta e saj brutale po i afrohet kufirit shtatëmujor.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha përpara fjalimit të Bidenit:

“Ai do të nënvizojë rëndësinë e forcimit të Kombeve të Bashkuara dhe do të riafirmojë parimet thelbësore të kartës së saj në një kohë kur një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit ka goditur thelbin e Kartës duke sfiduar parimin e integritetit territorial dhe sovranitetit.”

Kjo vjen pasi Putin e përshkallëzoi situatën duke nënshkruar këtë të mërkurë mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve, për t’u dërguar në një fazë të re luftimesh në Ukrainë, si dhe kërcënojnë Perëndimin me një rrezik të mundshëm bërthamor, për të cilin tha se nuk është blof.

Në këtë kategori hyjnë rreth 300 mijë persona, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Shefi i Kremlinit mbështeti referendumet e kësaj jave për bashkimin me Rusinë të territoreve të pushtuara si Zaporizhia, Hersoni, Donjecku e Luhansku, të nxitura nga Moska, por që kundërshtohen ashpër nga Perëndimi. Një kërcënim, Putini e lëshoi edhe për Perëndimin.

“Po na bëjnë shantazh bërthamor sidomos në Zaporizhia. Dua t’ju kujtoj atyre se kemi shumëllojshmëri armësh të shkatërrimit në masë, edhe më moderne se të NATO-s. Do i përdorim për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë. Ky nuk është blof”./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share