Putin i pakënaqur nga shërbimi sekret

Presidenti rus urdhëron rritjen e vigjilencës

Sulmi rus në Ukrainë nuk po shkon sipas planit. Këtë e pranoi për herë të pare Presidenti rus Vladimir Putin, i cili në një videomesazh në ditën e Shërbimeve të Sigurisë flet për vështirësi të jashtëzakonshme në rajonet e aneksuara së fundi.

“Situata në Doneck, Luhansk, Herson e Zaporizhia është ekstremisht e vështirë”.

I vënë në vështirësi jo vetëm nga kundërofensiva e ukrainasve që ka zmbrapsur rusët nga territoret e pushtuara, por edhe nga aktet e shumta të sabotazhit në Rusi që dyshohet se janë kryer nga shërbimet sekrete të Kievit, Putin urdhëroi agjencinë e zbulimit FSB të shtojë vigjilencën, veçanërisht në kufi.

“Kujdes maksimal kërkohet nga agjencitë e kundërzbulimit. Duhet të përballemi me veprimet e shërbimeve të huaja dhe të identifikojmë shpejt tradhtarët, spiunët dhe sabotatorët”.

Sakaq edhe Ukraina vendosi të shtojë trupat në kufijtë me Bjellorusinë, pas vizitës së Putinit në Minsk, që shtoi dyshimet për përfshirje së shpejti të këtij vendi në luftë në krah të Rusisë. Megjithatë, Presidenti bjellorus tha se vendi i tij nuk ka ndërmend të përfshihet në luftë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share