Publikohet raporti, e moshuara që u dhunua në Kosovë ka edhe djegie në këmbën e majtë

Minire Nura, gruaja e moshuar e cila u dhunua nga infermieret e qendrës Orenda në Pejë të Kosovës në fillimit të muajit Nëntor, rezulton që të ketë edhe një dëmtim tjetër në këmbën e majtë.

Ky dëmtim tjetër në këmbën e saj u evidentua publikisht në emisionin Uniko më datë 7 Nëntor nga avokati Meshari Selimaj, i cili përfaqëson familjen e gruas së dhunuar.

Një raport mjeko-ligjor në Kosovë ka dalë në përfundimin se Minire Nura ka një dëmtim të shkaktuar me djegie në pjesën e sipërme të këmbës së majtë.

“Në shpinën e shputës së këmbës së majtë ka djegie lëkurore të shkaktuar si pasojë e veprimit lokal termik të temperaturës së lartë, siç mund të jenë lëngjet e nxehta. Këto dëmtime janë konstatuar dhe janë trajtuar më datë 4 Nëntor dhe 8 Nëntor 2022”, thuhet në raportin e mjekut ligjor Flamur Blakaj.

Ndryshe kishte deklaruar për emisionin Uniko, mjeku i qendrës Orenda, i cili kishte thënë se e moshuara Minire Nura e ka patur irritimin e lëkurës në këmbë që kur kishte shkuar për herë të parë në këtë qendër në Nëntor 2021.

Por tjetër konstatim evidentohet në raportin e mjekut ligjor, që kjo plagë në këmbën e majtë nuk është shkaktuar nga kruarjet apo irritimi i lëkurës, por është djegie me lëngje të nxehta.

Ndër të tjera, në këtë raport thuhet se në trupin e Minire Nurajt janë vënë re gjakmbledhje nënlëkurore dhe gërvishtje e dërmishje të shkaktuara nga goditje ose përplasje me objekt të fortë, të shkaktuara 7 – 14 ditë më përpara ekzaminimit. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share