PS e PD, gati kandidatët për zgjedhjet e 14 Majit

“Alibeaj ende pa vendim, zyrtarizon vetëm 17 kandidatë”

Kur na ndajnë pak orë nga e hëna që shënon edhe afatin ligjor për dorëzimin e emrave të kandidatëve dhe këshillave bashkiakë për zgjedhjet lokale të 14 Majit, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike e kryesuar nga Sali Berisha tanimë kanë gati listën për ta dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Socialistët kanë vendosur të rikandidojnë në këto vendore me 44 kryebashkiakët aktuale dhe 17 emra të rinj që do t’i bashkohen ekipit të Edi Ramës. E teksa emrat e kandidatëve për kryetarë u miratuan mbrëmjen e të shtunës nga Kryesia, në kampin rozë po i jepet dora e fundit listës për këshillat bashkiakë.

Ndërsa Sali Berisha, i cili në këto zgjedhje garon me koalicionin “Bashkë Fitojmë” ishte i pari që përmbylli që në fillim të muajit Dhjetor kandidatët për kryetar bashkie përmes procesit të primareve.

Kryesia e PD-së miratoi edhe kandidatët për këshillat bashkiakë, ku nga 1664 anëtarë, Partia e Lirisë do të ketë 240 këshilltarë, Vangjel Dule 20 dhe demokristiani Nard Ndoka 6 këshilltarë në lista.

E teksa Rama e Berisha tanimë kanë gati emrat, krejt e kundërta ndodh me grupimin “Alibeaj”, i cili do të përfaqësojë zyrtarisht në zgjedhje Partinë Demokratike, pas vendimit të KQZ-së.

Lufta brenda llojit në këtë grupim duket se i ka ndarë palët në qëndrime, ku disa prej deputetëve, propozojnë që në 14 maj PD të mos nxjerrë kandidatë për kryetarë bashkie, por vetëm për këshillin bashkiak.

Vendimi përfundimtar pritet të merret në mbledhjen e sotme të Kryesisë. Deri më tani ky grupim ka zyrtarizuar vetëm 17 kandidatë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share