“Protektorat ndërkombëtar” – Alternativa: Shkarkimi i kryetares së Këshillit Gjyqësor është skandaloz dhe falimentim i drejtësisë

Alternativa e Afrim Gashit ka reaguar sot në lidhje me shkarkimin kryetares së Këshillit Gjyqësor. Nga kjo parti e quajnë këtë akt si falimentim të drejtësisë në vend, përcjell KlanM.

“Pas vendimit skandaloz për shkarkimin e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, edhe një herë u dëshmua se drejtësia në Maqedoninë e Veriut ka falimentuar dhe se ajo është në shërbim të politikës dhe njerëzve të nëntokës. Në vend që të ndëshkohet gjykatësi që e ka shpëtuar Sasho Mijallkovin, duke e vjetruar qëllimisht lëndën e tij, ndodh shkarkimi i kryetares së Këshillit Gjyqësor.
Duke e dënuar këtë vendim skandaloz dhe duke gjykuar se drejtësia në Maqedoninë e Veriut tashmë po falimenton, për çka para ca ditësh kishim edhe reagimin e ambasadores amerikane në Shkup, AlternAtivA rikujton se sa i rëndësishëm po bëhet pranimi i propozimit të saj për sanksionimin kushtetues të mosvjetrimit të lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin politik”, thuhet në reagimin e Alternativës.

Përveç kësaj, nga kjo parti vlerësojnë se ashtu si rrjedhin punët në Maqedoninë e Veriut në fushën e drejtësisë, do të duhet të kërkohet protektorat ndërkombëtar për gjithë sistemin gjyqësor./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share