Pesë ditë pasi pranoi një pjesë të rëndësishme të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gazë, Hamasi është tashmë në pritje të një përgjigjeje nga Izraeli, thanë të dielën dy përfaqësues të grupit militant. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se negociatat do të vazhdonin këtë javë, por ai nuk përmendi një afat kohor.
Protestuesit ndërkaq bllokuan rrugët në mbarë Izraelin të dielën, ndërsa u shënuan nëntë muaj nga fillimi i luftës.
Propozimi amerikan me tre faza për territorin palestinez u paraqit në fund të majit nga presidenti Joe Biden dhe për të po ndërmjetësohet nga Katari dhe Egjipti. Plani synon t’i japë fund luftës dhe të mundësojë lirimin e rreth 120 izraelitëve që ende mbahen peng nga Hamasi.
Një zyrtar palestinez në dijeni të zhvillimeve i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Izraeli është angazhuar në bisedime me Katarin dhe se pritej t’i jepej një përgjigje Hamasit brenda disa ditëve.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se negociatat do të vazhdonin këtë javë, por ai nuk përmendi një afat kohor.
Ndërsa konflikti hyri në muajin e nëntë, protestuesit bllokuan rrugët në mbarë Izraelin të dielën. Me flamuj dhe këngë, ata i bënë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu të dorëhiqet dhe kërkuan vendosjen e armëpushimit që do të mundësonte kthimin e pengjeve që mbahen nga militantët e Hamasit.
“Kemi ende 120 pengje në Gazë dhe qeveria po bën çfarë mundet që ata të mos kthehen. Ushtria dhe drejtuesit e sigurisë kanë thënë se nuk kemi nevojë të qëndrojmë më në Gazë. Ka ardhur koha t’i kthejmë këta njerëz në atdhe. Ka ardhur koha të gjejmë një mënyrë që ky rajon të jetojë në paqe dhe jo me luftë pa fund. Jam këtu për të protestuar ndaj qeverisë dhe për të kërkuar që marrëveshja e paraqitur të pranohet nga qeveria izraelite”, thotë protestuesja Elisheva Baumgarten.
Pranimi i propozimit do të sillte pauzën e parë në luftime që nga nëntori dhe do të përgatiste terrenin për bisedime të mëtejshme.
“Ekziston mundësia, një mundësi e vërtetë, për t’i sjellë në atdhe 120 civilët. Megjithëse Hamasi është një organizatë terroriste, është mundësia tani. Jemi këtu për t’i bërë thirrje qeverisë sonë që ta pranojë marrëveshjen dhe t’i kthejë në shtëpi. Tani! I bëjmë thirrje Blinkenit, Bidenit, kujtdo që mund të na dëgjojë, të na ndihmojnë për t’i sjellë pengjet në atdhe”, thotë protestuesi Omer Vinokur.
Krahas rrugëve të bllokuara nga protestuesit, grupe njerëzish u mblodhën edhe përpara shtëpive të deputetëve izraelitë.
“Jam këtu sot pasi qeveria ime nuk mundet t’i kthejë pengjet. Është e thjeshtë. Nuk munden, nuk duan. Pas nëntë muajsh luftimesh, nëntë muaj protestash duke i kërkuar qeverisë t’i kthejë në atdhe, ata thjesht nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë. Prandaj ne sot e paralizuam vendin për të kthyer pengjet në atdhe dhe për të shkuar drejt zgjedhjeve në mënyrë që qeveria jonë ta rindërtojë vendin”, thotë protestuesi Tomer Lev.
Nga rreth 120 pengjet që nuk janë liruar, Izraeli thotë se rreth 40 prej tyre mund të jenë të vdekur dhe është shtuar frika se ky numër mund të rritet, ndërsa lufta zgjatet.
Kryeministri izraelit ka thënë se është i hapur për një pauzë në luftime në kuadrin e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve, por shtoi se Izraeli do të vazhdojë deri në arritjen e objektivit për shkatërrimin e Hamasit dhe të kapaciteteve të tij qeverisëse, si dhe kthimin e të gjitha pengjeve.
Luftimet ndërkaq vazhduan si në Gazë, ashtu edhe në veri me grupin militant libanez Hezbollah, duke rrezikuar të shkaktojë një luftë më të gjerë, që mund të sillte pasoja katastrofike për popullsinë në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme.
Konflikti ka marrë jetën e më shumë se 38 mijë palestinezëve, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi.
Lufta nisi pas sulmit nga grupi militant ndaj shtetit hebre më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë 1200 persona e marrë peng 250 të tjerë, kryesisht civilë izraelitë. /VOA