TENSIONE GJATË FJALIMËVE TË DEPUTETËVE
Me tensione të njëjta si në ditën e djeshme edhe sot ka vazhduar seanca parlamentare për propozimin francez për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në. Përderisa në foltore mbante fjalim deputetja e LSDM-së Daniela Nikolova deputetët e VMRO-së brohëritnin duke penguar fjalimin e saj. Ajo akuzoi opozitën se nuk ju interesojnë qytetarët por vetëm mënyra se si mund të vijnë në pushtet.
Ju jeni të dëshpëruar nga veprimet tuaja, që tregojnë se e vetmja gjë që ju intereson është qeveria, flisni për identitetin, për gjuhën maqedonase dhe nuk pranoni zgjidhje që garantojnë këtë, keni nxjerrë një tufë pasaportash bullgare, Goce Dellçevin e keni në bluzate juaja, por e mbani në shpirt Todor Aleksandrov, flisni për rëndësinë e gjuhës maqedonase dhe keni dashur të mbyllni departamentin e gjuhës maqedonase në UKM. A ka të keqe më të madhe sesa t’i privoni qytetarët tuaj nga e ardhmja evropiane, t’i detyroni ata të nxjerrin pasaporta të huaja për të shkuar në BE, ju flisni për emigrimin e të rinjve dhe jeni kundër hapjes së perspektivës evropiane për ta, nuk do t’ia dilni as kësaj radhe, deklaroi Daniel Nikolova-deputete e LSDM-së.
Nga ana tjetër Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski gjatë fjalimit të tij u pengua nga deputetët e shumicës të cilët, tërë kohën bërtitnin “pasaportën, pasaportën”. Kjo për shkak pretendimeve se deputeti Milloshoski përpos pasaportës të Maqedonisë së Veriut, posedon edhe pasaportën bullgare, ndërsa një gjë të tillë e kishte zbuluar kohë më parë, kryetari i partisë VMRO Bullgare, Krasimir Karakaçanov.
Nuk lejohet futja e një mekanizmi për monitorimin ose zbatimin e negociatave në lidhje me protokollin, historinë e përbashkët, kornizën negociuese apo raportet e përbashkëta. Në këtë rast, ai mekanizëm do të bëhej kusht për rrjedhën e negociatave dhe procesit të diktuar nga njëra palë, për çështjet e tij të rëndësishme politike apo historike dhe do të errësonte procesin e evropianizimit dhe standardet që ju pretendoni se i përmbaheni, deklaroi Antonio Milloshoski- deputet i VMRO-DPMNE-së
Deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Zdravko Trajanov, ju drejtua deputetes Sanela Shkriell duke i thënë se me pranimin e këtij propozimi, qeveria po e çon vendin në rrugë qorre dhe Maqedonia nuk do të bëhet kurrë pjesë e BE-së.
Sanela, a do ta pranosh që gjuha boshnjake është një dialekt i serbishtes? Nuk mund të pranoj që gjuha maqedonase është dialekt dhe normë e gjuhës bullgare, prandaj kjo nuk do të kalojë kurrë dhe prandaj me marrëveshjen tuaj po na sfidoni, duke na çuar në një rrugë qorre ku nuk do të bëhemi kurrë pjesë e BE-së, deklaroi Zdravko Trajanov deputet i VMRO-DPMNE-së.
Deputetja e pavaru, Sanela Shkrijell, u bëri thirrje deputetëve të pranojnë propozimin francez, ndërsa kolegët e saj nga VMRO-DPMNE, të cilët sabotuan prezantimin e saj në foltoren e Kuvendit me fishkëllima, i quajtën frikacakë, ksenofobë dhe kriminelë, deklaroi Sanella Shkrijell .
Koalicioni antievropian, frikacakë, ksenofobë dhe kriminelë, mund të bërtisni e të fishkëlloni sa të doni, ne do të vazhdojmë në rrugën evropiane të këtij vendi, duke ruajtur gjuhën maqedonase dhe të gjitha veçoritë e identitetit etnik maqedonas. Negociatat me hyrjen në Bashkimin Evropian si maqedonas, me një gjuhë të pastër maqedonase, nuk janë asimilim.
Dita e parë e debatit parlamentar për propozimin evropian kaloi në atmosferë të tensionuar, me britma dhe fishkëllima. Gjatë seancës disa nga deputetët të VMRO-DPMNE-së nga foltorja e kuvendit grisën dhe dogjën propozimin francez. Ndërsa gjatë kohës që në foltore foli kryeministri dhe deputetët nga pozita, deputetët nga opozita maqedonase bënin zhurmë duke fishkëlluar./KlanMacedonia/