Prokuroria me detaje për incidentin e djeshëm në afërsi të “Çairçanja”, ku mbeti i lënduar një tifoz i klubit bullgar ”Levski”

Prokuroria Themelore Publike Shkup informon se është e njoftuar për ngjarjen dhe se ka dhënë të gjitha urdhrat dhe udhëzimet e nevojshme për identifikimin e personave të cilët morën pjesë në incidentin, ku mbeti i lënduar një tifoz i klubit të futbollit “Levski” nga Sofja.

Sipas njohurive të para, siç bëhet e ditur në kumtesën e Prokurorisë, ngjarja ishte shkaktuar derisa disa tifozë të KF “Levski” me dy vetura me targa bullgare kishin lëvizur në afërsi të qendrës tregtare “Çairçanja”, ku kishin hyrë në zënkë verbale me kalimtarë të rastit dhe qytetarë.

“Tifozët bullgarë i kishin ndalur veturat dhe kishin dalë nga ato, pas çka zënka verbale kishte kaluar në zënkë fizike me një grup të qytetarëve të cilët kishin dalë nga objektet përreth. Gjatë kthimit në automobil, një shtetas bullgar 29-vjeçar ishte lënduar me mjet të mprehtë në abdomen. Te ai është konstatuar lëndim trupor i rëndë dhe është hospitalizuar. Pas intervenimit të kryer kirurgjik, ai është në gjendje stabile”, thuhet në kumtesë.

Me qëllim, siç bëjnë të ditur nga Prokuroria, konfirmimit të identitetit të qytetarëve të cilët kishin marrë pjesë në ngjarje dhe të cilët sipas njohurive fillestare nuk ishin pjesë e ndonjë grupi lokal të tifozëve, si dhe zbardhjes së plotë të ngjarjes, janë marrë gjurmë nga vendi i ngjarjes të cilat do të jenë mjet i ekspertizës.

Përveç kësaj, janë siguruar xhirime nga objektet përreth dhe nga kamerat e sistemit “Qyteti i sigurt”, ndërsa po ndërmerren edhe veprime të tjera.

Sa i përket incidenteve të tjera lidhur me tifozët e KF “Levski” gjatë ditës së djeshme, Prokuroria është njoftuar se janë përgatitur kundërvajtje.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share