Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar në lidhje me rastin e vrasjes së shtatzënës para Gjinekologjisë në QKUK.
Në njoftim thuhet se Prokuroria është “duke e trajtuar rastin me seriozitetin më të lartë” ky rast.
“Prokuroria e Prishtinës njofton se nga momenti kur është pranuar informata për kryerjen e veprës penale e deri më tani janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sigurimin e provave dhe sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë, si dhe me të pranuar informatën lidhur me rastin prokurori kujdestar menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me gjitha njësitet relevante policore”.
“Andaj, sigurojmë opinionin publik se ky rast është duke u trajtuar me seriozitetin më të lartë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë”, njoftoi Prokuroria.
Në njoftim u tha se i dyshuari për vrasjen e Hamide Magashit, ish-gruas së tij, dyshohej për veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.2 të KPKR-së, si dhe “Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale “Mospërfillja e Gjykatës” nga neni 393 paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërkaq, sot Sokol Halili, ka kryer vetëvrasje pasi nuk ka pranuar të dorëzohej te organet e rendit.