Edi Rama nderohet në Izrael

Nazistë të shekullit të ri e ka cilësuar Hamasin kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Izrael. Kreu i qeverisë thotë se Shqipëria është krah Izraelit, teksa thekson se për zgjidhjen e konfliktit me Hamsin mbështet fomulën me dy shtete.

“Shpresojmë që në këtë kohë të re të jemi në gjendje të ndërtojmë diçka jo aq të jashtëzakonshëm sa çfarë bënë gjyshërit tanë por në të njëjtën frymë vëllazërimi e bashkëpunimi, qëndrojmë të patundur krah Izraelit në këtë moment të vështirë ku ende ka njerëz në bodrumet mesjetare të Hamasit. Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse me dy shtete, por në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty. Ndryshe nga çfarë janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence, por janë nazistët e shekullit të ri dhe historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe.”

Në një ceremoni të posaçme të organizuar në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem kryeministri Edi Rama u nderua nga Presidenti i Izraelit , Isaac Herzog me Medaljen Presidenciale të Nderit, i cili vlerësoi kontributin ndër vite të shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve.

“Zoti Kryeministër, i dashur miku im Edi! Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit. Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qënieve njerëzore. Kjo thirrje integriteti e nderi rrënjosur thellë në popullin tuaj, gjen jehonë fort në udhëheqjen tuaj sot, gjen jehonë në angazhimin tuaj ndaj tolerancës, humanizmit dhe drejtësisë sociale, gjen jehonë në qëndrimin tuaj të pakompromisë kundër antisemitizmit dhe urrejtjes.”

Medaljen Presidenciale të Nderit kryeministri Rama tha se nuk e meriton vetëm ai personalisht, por i gjithë populli shqiptar.

“Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrej sesa në fillim të saj.”

Më parë me Medaljen Presidenciale të Nderit nga Izraeli janë nderuar personalitete më të larta botë si Barack Obama, Angela Merkel dhe Joe Biden.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share