Prokurori i lartë Jovan Cvetanovski me vendimin e tij ka rikthyer nw jetw rastin me “Bonuset e PSP-së”.
Në bazë të vendimit të ndërmarrë do të anulohet vendimi i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion për ndalimin e procedurës ndërkaq, lënda kthehet sërish nga fillimi. Nga Prokuroria e udhëhequr nga prokurori Islam Abazi njoftojnë se do të respektohen udhëzimet e dhëna nga Prokuroria e Lartë e Shkupit.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion kishte vendosur që prokurorët e PSP-së të mos mbajnë përgjegjësi penale për shpërblimet që kanë marrë, pasi është konstatuar se nuk kanë shkelur ligjin, gjegjësisht nënshkruese ka qenë shefja e tyre Katica Janeva. Por, ky vendim nuk ishte I përshtatshëm për VMRO-DPMNE, e cila parashtroi ankesë në Prokurorinë e Lartë në Shkup.
Ajo që nuk ishte e qartë për opinionin ishte fakti se ku ishte thirrur VMRO-DPMNE për të bërë ankesë pasi nuk është palë e dëmtuar në këtë rast, dhe për rrjedhojë nuk kanë të drejtë ankimimi. Një gjë e tillë parashikohet qartë në nenin 288, pika 2, të Kodit Civil, ku thuhet:
Vendimi për refuzimin e kallëzimit penal i dërgohet të dëmtuarit me udhëzim që në afat prej 8 ditësh të paraqesë ankesë në prokurorin më të lartë publik”.
Në rastin kur ankuesit pa u dëmtuar kanë paraqitur ankesa, sipas praktikës së mëparshme ato fillimisht janë refuzuar dhe nuk janë marrë fare në shqyrtim. Megjithatë, prokurori Cvetanovski vendosi që lënda të kthehet dhe të procedohet sërish.
Pikërisht për këtë rast kreu i Prokurorisë së Lartë të Shkupit, Mustafa Hajrulahi, i cili aktualisht është i suspenduar, akuzoi prokurorin publik të Republikës Ljupço Kocevski se i ka bërë presion që ta refuzojë ankesën. Prokurori Kocevski i mohoi akuzat e tij.
Kujtoujmë se më herët Prokuroria sqaroi se përse u refuzua kërkesa për “bonuset”, duke njoftuar se kanë siguruar dokumentacion të gjerë dhe kanë deklasifikuar raportet dhe rregulloret e auditimit që ishin miratuar nga prokurorja e atëhershme publike Katica Janeva.
Nga Prokuroria njoftuan se për rastin në fjalë nuk është kryer asnjë vepër penale. Lidhur me pagesën e shpërblimeve në PSP-së që në vitin 2019, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e drejtuar nga kryetarja e atëhershme Vilma Ruskovska, hapi një hetim paraprak. Sipas raportit të auditimit, i cili është porositur nga Ruskovska, informacionet fillestare ishin se janë kontestuar 4,6 milionë euro. /tvklan.mk/