Princi saudit fiton imunitet në SHBA ndaj padisë për vrasjen e Khashoggit

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se princi i kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman, ka imunitet ndaj padisë për vrasjen e Jamal Khashoggit.

Khashoggi, kritik i njohur i Qeverisë në Riad, është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll, në tetor të vitit 2018.

Inteligjenca amerikane pati thënë më parë se beson që bin Salman ka urdhëruar vrasjen.

Mirëpo në dokumentet e gjykatës, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ai ka imunitet për shkak të rolit të ri si kryeministër i Arabisë Saudite.

“Doktrina e imunitetit që kanë krerët e shtetit është e njohur sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore”, kanë thënë avokatët e Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Megjithatë, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se vendimi nuk nënkupton si ai është i pafajshëm.

Bin Salman është emëruar kryeministër i Arabisë Saudite në shtator të këtij viti.

Ai mohon vazhdimisht se ka pasur rol në vrasjen e Khashoggit.

E fejuara e Khashoggit, Hatice Cengiz, ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Jamal ka vdekur sot sërish”, teksa e ka komentuar vendimin.

Arabia Saudite pati thënë se Khashoggi, ish-kolumnist i të përditshmes amerikane, Washington Post, është vrarë në një “operacion” të kryer nga një ekip agjentësh, të cilët janë dërguar në Stamboll për të bindur atë që të kthehet në mbretëri.

Vrasja e Khashoggit është dënuar në gjithë botën dhe besohet se e ka dëmtuar imazhin e princit të kurorës – udhëheqësit de facto të Arabisë Saudite.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share