Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë të martën se Rusia është duke dërguar tashmë armë bërthamore në shtetin fqinj, Bjellorusi, dhe ka shtuar se ky veprim do ta ndryshojë arkitekturën e sigurisë së rajonit dhe të tërë aleancës ushtarake të NATO-s.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe ai i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, thanë muajin e kaluar se Moska kishte dërguar tashmë disa armë bërthamore taktike në Bjellorusi, pasi kishte njoftuar për një plan të tillë në mars.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk e kanë konfirmuar këtë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi retorikën e Moskës duke e cilësuar si “të rrezikshme dhe pakujdesshme”, por tha në korrik se aleanca nuk ka parë ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë.
Duda i bëri këto komente gjatë një konferencë të përbashkët me presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, i cili po e viziton Varshavën.
“Po i tregoja presidentit [Sousa] për zbatimin e deklaratave nga Vladimir Putini se armët bërthamore taktike të Rusisë do të zhvendosen në territorin bjellorus”, tha Duda. “Vërtet, ky proces po ndodh, ne po e shohim këtë”.
Lukashenka thotë se mbajtja e armëve bërthamore ruse në vendin e tij ka për qëllim frenimin e agresionit nga anëtarja e NATO-s, Polonia, edhe pse Varshava nuk ka bërë asnjëherë kërcënime të tilla.
Polonia është duke i ofruar fqinjit të vet, Ukrainës, mbështetje ushtarake, humanitare dhe politike në luftën e saj kundër pushtuesit rus dhe po merr pjesë në sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.