Presidenti i Polonisë: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE, reformat po realizohen

Presidenti i Polonisë Andrzej Duda ka shprehur mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Teksa zhvillon vizitë zyrtare në Tiranë, në një konferencë shtypi me Presidentin Bajram Begaj, Duda theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të jetë edhe një nga prioritet e Polonisë kur të marrë drejtimin e Presidencës së BE në gjysmën e parë të vitit 2025.

“Me mbështetjen e Polonisë, së shpejti shpresoj që Shqipëria të jetë anëtare e BE dhe do të jemi bashkë në këtë familje të madhe. Deklarova edhe mbështetjen tonë polake për përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE. I thashë z.President se më 1 Maj kemi pasur konferencë shtypi me Kryeministin ku theksuam në mënyrë të qartë lidhur me afrimin e kyesimit të Polonisë në kuadrin e BE në gjysmëm e parë të 2025, e kemi thënë qartazi cilat janë prioritetet, midis të cilave forcimin e lidhjes mes SHBA dhe Europës, prioritet të dytë do kemi anëtarësimin në BE të Ukrainës, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, midis të cilave është edhe Shqipëria e cila është në krye sa i përket përmbushjes së kritereve. Jemi përkrahës të dyerve të hapura në BE. I kuptojmë shumë mirë sakrificat e Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare për të realizuar të gjitha reformat që janë të domosdoshme. Shihet shumë qartë që këto reforma po realizohen, nuk kam asnjë pikë dyshimi që Shqipëria të jetë pjesë e BE sa më shpejt. Është në interesin tonë, është në interesin e BE. E sigurova Presidentin që këtë anëtarësim e mbështesim”, tha Presidenti Duda.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Kreu i shtetit të Polonisë vlerësoi gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës në raport me pushtimin rus.

E në këtë pikë, Presidenti Dudaj kërkoi që lufta të përfundojë më largimin e trupave ruse dhe rikthimin për Ukrainën të territoreve të pushtuara.

“Sa i përket sjelljes apo qëndrimit tonë ndaj qëndrimit rus në Ukrainë, sigurisht kemi patur në vendin tonë miliona fqinjë që u larguan nga bombat ruse. Menduam se kjo është detyra jonë si fqinj. Dua ta falenderoj Shqipërinë, shoqërinë shqiptare për mbështetjen ndaj Ukrainës. Dua ta falenderoj për pozicionin e qartë politik ndaj agresionit rus. Agresioni duhet të mbarojë me largimin e forcave ruse nga territori i pushtuar ukrainas. Territori ukrainas duhet t’i rikthehet në mënyrë të plotë Ukrainës. I kërkova Presidentit që të mbështesë realizimin e të gjitha vendimeve të samitit në Madrid dhe të marrim vendime të tjera për të forcuar sigurinë e krahut lindor të NATO”, tha Dudaj.

Nga ana tjetër, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

“Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira politike e tradicionalisht miqësore të rikonfirmuara edhe përmes kësaj vizite të mikut Duda në Tiranë. I shpreha mirënjohjen Presidentit Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të Nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë Covid-19”.

Begaj tha se pavarësisht marrëdhënieve tregtare, Shqipëria dhe Polonia duhet të forcojnë akoma më shumë bashkëpunimin ekonomik.

“Me homologun Duda u ndalëm tek bashkëpunimi ekonomik e tregtar i cili megjithëse ka zhvillime pozitive dhe një kuadër të plotë ligjor është larg mundësive të dy vendeve. Vlerësuam bashkëpunimin në fushën e turizmit ku një kontribut të madh kanë dhënë lidhjet direkte të fluturimeve mes Polonisë dhe Shqipërisë”.

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi gjithashtu marrëdhienien mes Shqipërisë dhe Polonisë në fushën e mbrojtjes dhe arsimit.

“Si dy vende anëtare të NATO-S Shqipëria dhe Polonia kanë bashkëpunim shumë të mirë në fushën e mbrojtjes në nivel strategjik dhe operacional. Vlerësuam gjithashtu bashkëpunim shumë të mirë në fushën e arsimit dhe shkencës si aspekt tjetër i rëndësishëm i marrëdhënieve dypalëshe”.

Po kështu, Begaj shprehu falenderimin dhe për mbështetjen që Polonia ka treguar për integrimin europian të Shqipërisë.

“Një vëmendje shumë të veçantë i kushtuam bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë ku shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë. Shpreha mirënjohje për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen dhe stabilitetin e rajonit në Ballkanin Perëndimor. Vëmendje të veçantë i kushtuam sfidës më të madhe për rendin botëror dhe sistemin e vlerave tona të përbashkëta që po testohen e kërcënohen nga një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Kjo është vizita e parë në Shqipëri e një Presidenti polak pas 20 vitesh.

/tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share