QEVERIA PREMTON PËRFUNDIMIN E SAJ, ME FONDE NGA BE-ja
Me investim prej 200 milionë eurove do të vazhdojë ndërtimi I hekurudhës në Korridorin 8 dhe do të rikonstruohet një pjesë e hekurudhës në Korridorin 10. Tre marrëveshjet janë nënshkruar nga autoritetet e vendit me kompanitë “Shtrabak” dhe “Gjulermak”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski me këtë rast tha se me këtë investim, RMV-ja bëhet udhëkryq I Ballkanit.
“Me këtë investim praktikisht sigurohen tregje të reja për kompanitë e vendit. Kompanitë tona më lehtë e më shpejtë do të lidhen me rajonin që hap mundësi të reja për prosperitet dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi Dimitar Kovaçevski Kryeministër i RMV-së.
Hekurudha dhe infrastruktura e re rrugore përgjatë Korridorit 8 janë edhe një nga kushtet për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, por edhe nevojë e Shqipërisë për shkak të lidhjes së porteve detare në Adriatik dhe në Detin e Zi dhe transport më të lehtë në kushte të krizës në Evropë.
“Zhvillimi vendit tonë, lidhja me infrastrukturën, Korridori 8 dhe 10 si projekte infrastrukturore kryesore që e bëjnë vendin tonë udhëkryq të këtyre korridoreve evropiane. Kjo do të thotë BPV më e lartë, e ardhme më e mirë, zhvillim më i madh i turizmit dhe jetë më cilësore, si dhe ndotje më e ulët e ambientit.”deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Financave.
Premtimin për ndërtimin e hekurudhës deri në Bullgari, pjesa lindore e Korridorit 8, qytetarët e Maqedonisë së Veriut gjatë tri dekadave të kaluara e kanë dëgjuar shumë herë, ndërsa sot morën premtimin se ndërtimi i së njëjtës do të përfundojë.
“Ju premtoj përkushtim dhe prani në terren, transparencë të procesit me informacione në kohë në lidhje më ndërtimin. Më e rëndësishmja, ju premtoj përfundim të ndërtimit në kohë.”, tha Hari Lokvenec nga Hekurudhat e RMV-së.
Këtë herë, “përfundimi në kohë” është deri në vitin 2025, të paktën deri në Kriva Pallankë, në afërsi të kufirit me Bullgarinë, por jo edhe përfundimi i pjesës së tretë më të vështirë të hekurudhës në terrenin malor deri në kufi, për të cilin gjysma e financave janë grant nga Bashkimi Evropian.
“Faza e parë është seksioni nga Kumanova deri në Belakovcë me gjatësi 31 kilometra, investim në vlerë 40 milionë euro, afati i ndërtimit dy vite nga nisja e punimeve e kompanisë realizuese, përkatësisht deri në vitin 2024. Për fazën e dytë, nga Belakovca deri në Kriva Pallankë investojmë 155 milionë euro për ndërtimin e 34 kilometrave hekurudhë e re, me afat deri në vitin 2025,” deklaroi Blagoj Boçvarski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Rrjeti i hekurudhave në Maqedoninë e Veriut është një nga më të neglizhuarit në Evropë, ndërsa udhëtimi me tren në vend është pothuajse diçka e panjohur për gjeneratat e reja. Për afrim real në BE, ku zhvillohet fushatë për transport hekurudhor më dinamik, me qëllim që të ulet ndotja e ambientit, vendi do të duhet që për një kohë relativisht të shkurtër të bëjë përpjekje të mëdha dhe organizim të mirë./KlanMacedonia/