Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave me kërkesë të NP Pyjet Nacionale-SHkup në pajtim me nenin 57 paragrafi 2 nga Ligji për pyjet, dha pajtueshmëri për vendosje të ndalesës së pjesërishme në pyje dhe tokë pyjore në periudhën prej orës -6:00 deri në orën 20:00.
Ndalesa hyn në fuqi prej nesër dhe vendoset duke pasur parasysh rrezikun e rritur nga dukuria e zjarreve pyjore në ambient të hapur.
“Ndalesa e pjesërishme për lëvizje në pyje do të hyjë në fuqi prej 24.06.2022 dhe do të zgjasë deri në vlerësimin se është ulur rreziku nga paraqitja e zjarreve pyjore, përkatësisht deri në anulimin e saj”, thuhet në kumtesën e “Pyjeve nacionale”.
Nga atje theksojnë se kjo ndalesë e pjesërishme për lëvizje në pyje dhe tokë pyjore nuk vlen për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë pyjore, Qendrën për menaxhim me kriza, Drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim, Inspektoratin shtetëror për pylltari dhe gjueti, NP “Pyjet nacionale”, subjektet që kryejnë aktivitete ekonomike pyjore, prerje, dërgesa dhe transport të drunjve dhe sortimenteve të drurit, shërbimet profesionale të koncesionerëve të kafshëve të egra në gjueti dhe personat që kanë leje me shkrim për lëvizje në pyje.
“Lëvizja do të jetë e lejuar vetëm me leje me shkrim të dhënë nga filialet e NP “Pyjet nacionale” – Shkup për rajonin me të cilin ekonomizon/menaxhon”, ceket në kumtesë, me ç’rast shtohet se për zbatimin e ndalesës përgjegjës janë të punësuarit e NP “Pyjet nacionale” të cilët kryejnë veprimtari mbrojtje, Polici pyjore dhe MPB.
Për mosrespektim të kësaj ndalese, personave fizik të cilët do të hasen në pyje dhe tokë pyjore, në pajtim me nenin 106 të Ligjit për pyjet, do t’u shqiptohet dënim në të holla prej 1500 deri 2000 euro në kundërvlerë të denarit.