“GJUHA MAQEDONASE ËSHTË E PRANUAR QARTË NGA 26 VENDE ANËTARE TË BE-SË”
Ambasadori slloven në Shkup, Milan Predan deklaroi sot se, pozicioni i Bullgarisë ndaj gjuhës maqedonase, nuk do të ketë asnjë ndikim në statusin e saj në Bashkimin Evropian. I pyetur nëse kjo mund të paraqesë problem më tej në procesin integrues, ai tha se 26 vendet që pranojnë gjuhën maqedonase nuk mund të pranojnë veton eventuale të Bullgarisë për shkak të gjuhës.
“Gjuha maqedonase është e pranuar qartë nga 26 vende anëtare të BE-së dhe ajo do të thotë se do të pranohet si gjuhë zyrtare e Unionit. Është normale që një vend anëtare ka të drejtë me ndonjë deklaratë të njëanshme të shprehë rezervën e saj, por ajo me siguri nuk do të ketë ndikim në gjuhën maqedonase në Bashkimin Evropian”, deklaroi Ambasadori i Sllovenisë në Shkup Milan Predan.
Predan në deklaratën e dhënë për media gjatë një ngjarje të organizuar me Sekretariatin për Çështje Evropiane, tha se gjatë procesit të negociatave mund të krijohen shumë situata për pengesa nga vendet anëtare të BE-së dhe se të gjitha shtetet anëtare janë përballur me situata të këtilla.
“Unë duhet t’ua them atë që njerëzit ndoshta nuk e din. Edhe ne, Sllovenia para se të fillojë negociatat kishte çështje të hapur me njërin nga fqinjët. Me kërkesë të tyre ne duhej ta ndryshonim Kushtetutën. Ajo është me të vërtetë situatë e ngjashme në atë aspekt. Atëherë thjeshtë vlerësuam se qëllimi për anëtarësim në BE megjithatë është më i rëndësishëm se sa të mos e bëjmë atë”,deklaroi Ambasadori i Sllovenisë në Shkup Milan Predan.
Kujtojmë se, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën votoi konkluzionet për pranimin e propozimit të KE-së për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Ndërsa, të dielën u nënshkrua protokolli bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. /KlanMacedonia/