Politika dënon krimin makabër – kërkohen dënime rigoroze!

Grubi: Tendencat për dimension etnik të këtij krimi – krim i dyfishtë

Kryeministri Dimitar Kovacevski, në fillim të fjalimit pas takimit të liderëve, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, ka falënderuar MPB-në dhe PTHP-në, siç tha, për zbardhjen e tërësishme të rastit të dy vrasjeve që tronditën opinionin duke paralajmëruar dënime rigoroze për autorët, përcjell KlanM.

“Pres që në afat sa më të shkurtër kryerësit të dalin para drejtësisë. Është një ditë shumë e vështirë dhe bëj thirrje që të ndiqen informacionet e institucioneve kompetente, të cilët në kohë dhe sipas protokolit ndajnë informata që të shmangen spekulimet dhe të mos dëmtohen hetimet”, tha kryeministri Kovaçevski.

Lideri I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke ngushëlluar familjet e viktimave, theksoi se organet kompetente për këtë rast kanë ofruar vetëm informacione enciklopedike.

“Sot është një ditë e rëndë për Maqedoninë dhe për të gjithë ne. S`kam fjalë se si ta shprehi dhimbjen time si prind dhe njeri dhe për të ngushëlluar të afërmit e viktimave. Posacërisht jam i zhgënjyer me press-konferencën e MPB dhe PTHP, ku dëgjuam informacione enciklopedike, pa asnjë dëshmi konkrete”, u shpreh Hrsitijan Mickoski.

Ngushëllime, siç përcjell KlanM, kanë dërguar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim. Nga kjo lidhje e Quajë të vonuar regaimin e institucioneve.

“Fillimisht shfrytëzoj rastin të shpreh ngushëllime për familjen dhe të afërmit e të ndjerës Vanja Gjorçevska që është një tragjedi dhe vlerësojmë se pushteti është vonuar në reagim”, tha Izet Mexhiti.

Ka reaguar edhe Presidenti Stevo Pendarovski.

“Prehu në paqë Vanja! Ngushëllime familjes, miqve, nxënësve, shokëve e shoqeve” – ka shkruar në Facebook Presidenti Pendarovski teksa shihet bashkë me bashkëshorten se ka vizituar shkollën fillore ku ka mësuar e ndjera dhe është shënuar në librin e zisë.

Përmes rrjeteve sociale ngushëllime familjes së të ndjerës I ka dërguar edhe Kryeparlamentari Talat Xhaferi

“Rastet e izoluara kriminale nuk duhet të përdoren për politikë ditore dhe as të barazohen me shoqërinë në tërësi. Organet kompetente ta zbardhin rastin deri në fund” – shkruan Xhaferi.

I tmerruar nga rrëmbimi dhe vrasja e 14 vjeçares, Vanja Gjorçevska, është shprehur edhe Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi. Ai ka dënuar pretendimet dhe tetntativat që këtij rasti t`i jepet konotacion etnik.

“Individë të caktuar në rrjete sociale po përpiqen ti japin dimension etnik këtij krimi dhe kjo tendencë paraqet krim të dyfishtë. Familja dhe e gjithë shoqëria janë në dhimbje dhe mosbesim, ndaj dhimbjen me të gjithë, ndërsa bashkarisht duhet t`i shporrim nga mesi jonë vrasësit, komplotistët dhe nxitësit!”- shkruan Grubi.

Ndryshe, në komunikatën e parë të MPB-së lidhur me zbardhjen e rastit, mes tjerash u potencua se kundrejt spekulimeve dhe dezinformatave, sipas së cilëve, ky rast ka prapavijë etnike, organet kompetente njoftuan se të gjithë të dyshuarit janë të përkatësisë etnike maqedonase./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share