Policia jep detaje për protestat në veri: Edhe gazetarët u penguan dhe rrezikuan

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke vazhduar angazhimet e saja në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, të cilat po vazhdojnë pranë tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se në Zveqan protestuesit kanë vazhduar të jenë jo paqësor dhe në vazhdimësi kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve.

“Nga protestues të maskuar, janë penguar dhe rrezikuar edhe gazetarë të mediave të ndryshme të cilëve iu janë dëmtuar automjetet e tyre, prej tyre një veturë e kanë djegur, e po ashtu iu janë shkruar mbishkrime nacionaliste serbe. PK-ja sipas mundësive iu ka ofruar siguri mediave/gazetarëve duke i zhvendosur në perimetër të sigurisë”.

“Sirenat/alarmet janë lëshuar në vazhdimësi në komunat veriore me qëllim të ri-mobilizimit të tyre, deri më tani edhe në Leposaviq protestuesit kanë gjuajtur gjësende të ndryshme dhe fishekzjarre/mjete piroteknike ndaj zyrtarëve dhe mjeteve policore”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se Policia e Kosovës është treguar profesionale dhe e vetëpërmbajtur, duke i shmangur provokimet në vazhdimësi, si dhe ka kërkuar nga protestuesit që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos sulmojnë dhe rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë, të lirojnë rrugën dhe mjetet zyrtare për qarkullim, si dhe të mos dëmtojnë mjetet policore e të qytetarëve, me qëllim të mos tensionimit të situatës. Një kërkesë të tillë ndaj protestuesve e kanë bërë në vazhdimësi edhe zyrtarët e KFOR-it që kanë qenë prezent, por situata ka vazhduar të jetë e njëjtë.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e koordinuar me KFOR-in për të menaxhuar situatën. KFOR-i janë detyruar të veprojnë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë vënë në rrezik dëmtimi i automjeteve dhe prona publike”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share