Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Mitrovicës aktualisht është e qetë dhe pa ndonjë problem.
Nëpër lagjet me popullatë të përzier janë të vendosura forcat e Policisë së Kosovës të cilat po kujdesen për rendin dhe qetësinë publike.
Automjete të KFOR-it dhe EULEX-it shihen po ashtu duke qarkulluar në këto zona, ndërsa qytetarët e këtyre lagjeve tani ndihen më të sigurt, raporton KosovaPress.
Ali Mehmeti, qytetar, tha se prezenca e policisë në këtë pjesë të qytetit është e domosdoshme.
Sipas tij, tani më shumë se kurrë është koha për unitet të qytetarëve, ndërsa sa i përket zgjedhjeve, ai tha se ato duhet të mbahen gjithsesi.
Në orët e mbrëmjes të së enjtes, Policia e Kosovës shtoi praninë në pjesën veriore të vendit pas shpërthimeve dhe gjuajtjeve me armë. Për pasojë, pati edhe një polic të plagosur i cili është operuar në QKUK dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën.