Policia në Florida shtangu kur ndaloi shoferin e një makine në një autostradë masive dhe zbuloi se ishte një fëmijë vetëm 10 vjeç.
Sipas asaj që shkruan BBC, djali së bashku me motrën e tij 11-vjeçare u ndaluan në Alachua, qindra kilometra larg nga ku ishin raportuar të zhdukur nga nëna e tyre më herët gjatë kësaj jave.
Policia tha se ata e kishin ndërmarrë veprimin në fjalë pasi e ëma u kishte marrë pajisjet elektronike.
Ndalimi i tyre u konsiderua si me “rrezik të lartë” dhe u krye orëve të vona të së enjtes, në orën 03:50 me orën lokale.
Makina me të cilën udhëtonin ishte raportuar po ashtu e zhdukur nga e ëma e fëmijëve në North Port të Floridas, një qytet që ndodhet më shumë se 320 kilometra larg Alachua.
Oficerët u njohën me faktin se të dy fëmijët ishin mërzitur me nënën e tyre sepse ajo u kishte marrë pajisjet elektronike, për shkak se nuk po i përdornin siç duhet.
Policia shtoi se nuk kishte arsye për të besuar se ishin të keqtrajtuar në shtëpi./tvklan.al