Policia bastis zyrat e organizatorëve të Lojërave Olimpike Paris 2024

Policia në Francë është duke bastisur selinë e organizatorëve të Lojërave Olimpike Verore të vitit 2024 që mbahen në Paris.

Zyrtarët kanë thënë se bastisjet janë pjesë dy hetimeve preliminare për korrupsion.

Transmetuesi britanik BBC ka raportuar se policia është në kërkim, pas dyshimeve për keqpërdorim të parasë publike dhe favorizime lidhur me kontratat për ndërtim.

Një zëdhënës i komitetit organizativ Paris 2024, i ka thënë BBC-së se organizata është duke “bashkëpunuar plotësisht me hetuesit”.

Lojërat Olimpike Verore të radhës do të mbahet më 26 Korrik deri më 11 Gusht të vitit 2024, ndërsa Lojërat Paraolimpike do të mbahen në shtator.

Bastisjet e së martës janë një episod në kuadër të zhvillimeve që kanë prekur sportet në përgjithësi në Francë.

Në muajin maj, presidentja e Komitetit Olimpik Kombëtar të Francës, Brigitte Henriques, ka dhënë dorëheqje nga pozita që e ka pasur.

Nuk është dhënë asnjë arsye për vendimin e saj, ndonëse ka pasur zëra për luftë të brendshme në organizatë.

Më herët gjatë vitit, shefat e federatave të futbollit dhe rugbit në Francë, kanë dhënë dorëheqje, pas skandaleve të profilit të lartë./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share