“Nderi më i madh është kur shteti juaj Serbia dhe presidenti juaj Aleksandar Vuçiq ju rendisin në mesin e të mëdhenjve dhe të famshmëve”, ka deklaruar drejtori i suspenduar i policisë në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriq, pasi u bë e ditur nga kabineti i Vuçiqit se ai sot do të nderohet me Urdhrin Meritë të mbrojtjes dhe sigurisë së shkallës së parë.
“Që nga fillimi i punës sime në këtë detyrë kam bërë të pamundurën për të krijuar një atmosferë mes punonjësve të policisë që ata të ndihen të lirë dhe pa asnjë ngarkesë, që punën e tyre ta bëjnë me lehtësi dhe se të gjithë të kenë të drejta të barabarta mes nesh. Kam arritur sukses dhe jam shumë i lumtur për këtë”, ka thënë Gjuriq për gazetën serbe “Politika”, shkruan n1info, transmeton Klan Kosova.
Nenad Gjuriq është suspenduar për shkak se ka refuzuar t’u lëshojë fletë-qortime qytetarëve në veri të Kosovës të cilët nuk kanë automjete të regjistruara me targa RKS. /EkonomiaOnline/