Është arrestuar një burrë me inicialet A.A., i cili dyshohet për falsifikim të parasë.
Policia bën e dije se ka konfiskuar mbi 10 mijë euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara, njofton Klankosova.tv.
Sipas PK-së, kapja e kësaj shume është bërë e mundur pasi hetues të krimeve ekonomike kanë realizuar një aksion simulues për blerjen e asaj shume të parave të falsifikuara për 6 mijë euro.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, më 15.03.2024 kanë zbatuar Urdhëresën për ‘Masa të fshehta hetimore’, përkatësisht ‘Blerja e simuluar e artikujve, shërbimeve ose sendeve’, të lëshuar më 14.03.2024 nga Prokuroria Themelore Prishtinë. Gjatë zbatimit të urdhëresës, në fshatin Shakovicë të Podujevës, i dyshuari A.A., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar), gjatë realizimit të masave të fshehta të hetimit nga hetuesit policorë, ka ofruar për shitje 5000 copë monedha nga 2 euro (5000×2=10000). I dyshuari këtu monedha synonte t’i shiste për 6 mijë euro. Policia, gjatë kontrollit në veturën e tij, kanë gjetur dhe sekuestruar: 5000 x 2 € monedha, dyshohet të jenë të falsifikuara; 3 kartëmonedha nga 20 euro, dyshohet të jenë të falsifikuara; Vetura e përdorur nga i dyshuari dhe një telefon celular”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë.