Një sulm me armë i mori jetën një nxënësi dy ditë më parë në Iowa të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që 5 të tjerë përfunduan në spital.
Mediat e huaja bëjnë me dije se autori i ngjarjes (i cili në fund u vetëvra), 17 vjeçari Dyan Butler, i cili ishte student në këtë gjimnaz kishte postuar një video në Tik Tok pak para ngjarjes së rëndë. Ai duket brenda tualetit të shkollës teksa buzëqesh dhe shkruan: Tani jemi këtu, po presim! Videoja e tij e cila tashmë është fshirë nga rrjetet sociale shoqërohej nga kënga e titulluar “Stray Bullet”.
Hetuesit thonë se ai kishte postuar disa herë foto me armë zjarri në llogari të ndryshme.
Associated Press raportoi të Enjten se mes të plagosurve ishte edhe drejtoresha e shkollës. Dylan hapi zjarr rreth orës 07:37 të mëngjesit, ditën e parë të semestrit pas pushimeve dimërore.
Disa nga dëshmitë:
Maturantja e shkollës së mesme, Ava Augustus tha se sapo u fut brenda godinës dëgjoi tre të shtëna. Ajo dhe disa nxënës të tjerë mbyllën derën nga frika dhe menduan të iknin përmes dritares së klasës.
“Shihnim copa xhami dhe gjak kudo”, thotë ajo. Zander Shelley, 15 vjeç, ishte në korridor kur dëgjoi të shtënat dhe u fut në një klasë për t’u fshehur ndërkohë që i dërgonte mesazhe babait të saj. Ky i fundit, Kevin Shelley tha se e la punën në mes dhe u nis drejt shkollës i tmerruar.
Rachael Kares, 18-vjeç thotë se vrapoi bashkë me shokët e saj sapo dëgjoi të shtënat.
“Dëgjoheshin vetëm të bërtitura!”
Sulmet me armë zjarri janë raste që sa vijnë e shtohen vitet e fundit në SHBA. Në 2023-in u regjistruan plot 656 raste të tilla, dyfish krahasuar me 9 vite më parë./tvklan.al