Plane për destabilizim edhe në Serbi?! Vuçiq: Miliona euro janë futur për rrënimin tim dhe destabilizim të vendit!

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në Serbi janë futur miliona euro me qëllim të destabilizimit të shtetit dhe për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Duke komentuar deklaratën e Ministrisë së Jashtme kineze  për dëshmi se pas protestave në Serbi qëndrojnë shërbimet amerikane, Vuçiqi tha se me kujdes do ta shqyrtojë raportin.

“Analizova se sa para kanë hyrë në vendin tonë përmes OJQ-ve. Janë shuma rekorde, me të cilët kanë qëllim të më rrëzojnë, dhjetëra dhe qindra miliona euro po futen me qëllim të destabilizimit të shtetit dhe shkatërimit tim. Me kujdes do ta lexojmë raportin e Qeverisë së Kinës, ashtu sic lexojmë publikimet e DASH-it dhe Qeverisë ruse”, tha Vuçiq.

Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se çdo pohim që Shtetet e Bashkuara mbështesin protestat antiqeveritare në Serbi “është i rremë”.

“Nuk na befason që Rusia, përkundrazi, ka instrumentalizuar protestat për të ndjekur agjendën e saj në Serbi, siç bën në mbarë botën”, tha DASH-i për Radion Evropa e Lirë më 17 gusht”, thanë nga DASH.

Mijëra persona morën pjesë në protestat e organizuara kundër planeve të Qeverisë që të nxjerrë depozita të litiumit, në një prej minierave më të mëdha në Evropë për këtë material që është krucial për prodhimin e baterive për makinat elektrike.

Moska ka akuzuar Perëndimin se qëndron prapa protestave, ndërkaq zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, ka falënderuar agjencitë ruse të sigurisë për “paralajmërimin e udhëheqjes serbe lidhur me përgatitjet e trazirave masive dhe për një tentim grusht shteti”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share