Një shqiptar ka mbetur i plagosur në Paxos të Greqisë. Bëhet fjalë për një 51-vjeçar sipas mediave greke.
Klan News mësoi se ai quhet Andrea Kalemi.
Shqiptari kishte shkuar në Greqi për pushime. Siç shkruajnë mediat, 51-vjeçari është plagosur në portin e Lakka-s. Dyshimet e para janë për larje hesapesh.
Autor i dyshuar i ngjarjes është një bashkatdhetar, i identifikuar nga autoritetet. Ky i fundit ka shkuar atje nga një ishull i Italisë.
Protothema shkruan se shqiptari u plagos pas një sherri që pati fillimisht mes dy personave. Në momentin e krimit nuk ka pasur dëshmitarë, por disa persona thanë se dëgjuan një të shtënë dhe kur dolën jashtë panë një person të shtrirë në tokë. Pas kësaj 51-vjeçari u dërgua në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Policia po vijon hetimet për këtë ngjarje, ndërsa është shpallur në kërkim autori.
Gjithnjë sipas Klan News, dyshohet se plagosja e Kalemit ka lidhje me vrasjen e Edmond Papës.