Pique largohet mes lotësh

Barcelona nderon kapitenin, merr kreun e La Liga

Mes emocioneve, lotëve dhe brohoritjeve, Gerard Pique i ka dhënë fund aventurës futbollistike. Mbrojtësi 35-vjeçar mbajti për herë të fundit shiritin e kapitenit me skuadrën katalanase, pjesë e së cilës ishte për 15 sezone dhe fitoi gjithçka.

“Kur rritesh kupton se ndonjëherë duhet të largohesh. Jam i bindur se në të ardhmen do të kthehem këtu. Unë e dua Barcelonën. Kjo është arsyeja pse mendoj se është koha e duhur për të shkuar. Kjo nuk është lamtumirë. Unë kam lindur këtu dhe do të vdes këtu”.

Me fanellën katalanase, Pique luajti 616 ndeshje, duke shënuar 52 gola dhe fituar 30 trofe, përfshirë 8 kampionate spanjolle, tre Champions League dhe tre Botërore Klubesh, ndërsa ishte pjesë e Spanjës në 2012 kur iberikët u shpallen kampionë të Europës. Ndeshja e fundit për Pique ishte tepër fatsjellëse për Barcelonën.

Skuadra e Xavi triumfoi 2-0 ndaj Almerias dhe merr kreun e La Ligës pas 13 javësh kampionat. Penalltia e humbur nga Robert Lewandowski rriti presionin e Barcelonës në portën kundërshtare, që u thye dy herë në harkun kohor të 14 minutave.

Fillimisht ishte Dembele ai që depozitoi topin në fundin e rrjetës. De Jong vulosi shifrat përfundimtare në 2-0 për t’i siguruar fitoren e radhës Barcelonës, që tashmë numëron 2 pikë më shumë se Real Madrid ndjekës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share