Petkoviç: Vuçiç na kërkoi heqjen e barrikadave

SHBA e BE apelojnë për çtensionimin e situatës

Deklarata e përbashkët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe për nisjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, duket se ka dhënë efektet e para.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç në një deklaratë për mediat bëri të ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.

“Presidenti zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut dhe ua prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. Ai na tregoi gjithçka që do të përfitojmë dhe kërkoi që populli ynë të tërhiqet nga barrikadat”.

Ai shtoi se presidenti serb ka marrë garanci nga ndërkombëtarët për plotësimin e kushteve të serbëve për heqjen e barrikadave.

Kushti i parë i serbëve u plotësua që në orët e para të së mërkurës, kur Gjykata e Mitrovicës liroi nga burgu ish-policit Dejan Pantiç, i cili u la në arrest shtëpie.

Vendim ky që u kontestua nga Kryeministri Albin Kurti, i cili shprehu habinë, pasi sipas tij, ai po hetohet për terrorizëm.

“Kur kemi akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak. Unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që bën këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që aprovon”, u shpreh Kryeministri Kurti.

Që nga 10 Dhjetori, serbët kanë ngritur 13 barrikada dhe kanë bllokuar tre pikat kufitare në Jarinë, Bërnjak dhe Merdare që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Pasditen e së mërkurës, KFOR paralajmëroi trupat ushtarake serbe të vendosura në bazën e Rashkës që t’i përmbahen marrëveshjeve dhe të lajmërojnë paraprakisht nëse ato afrohen 1 kilometër larg nga kufiri i Kosovës.

Ndërsa Uashingtoni dhe Brukseli kanë bërë të ditur se po punojnë me presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për të zbutur tensionet mes palëve. Lidhur me situatën në veri reagoi edhe Moska e cila opërmes zëdhënësit të Kremlinit, Dimtri Peskov hodhi poshtë akuzat e ministrit të Brendshëm të Kosovës se prapa serbëve fshihet dora destabilizuese e Rusisë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share