Ata u përleshën me policinë ndërsa bënë thirrje për anulimin e marrëveshjes së gjelbër pasi mund të çojë në faliment
Përleshjet shpërthyen mes fermerëve polakë dhe policisë në Varshavë ndërsa vijojnë protestën e tyre kundër politikave të BE-së.
Ata mbushën kryeqytetin duke mbajtur pankarta në duar dhe duke përshkallëzuar grevën e tyre, që filloi dy javë më parë, kundër kufizimeve të vendosura ndaj tyre nga masat e BE-së që synojnë të trajtojnë ndryshimet klimatike, kostot e larta dhe atë që ata thonë se është konkurrenca e pandershme nga jashtë, veçanërisht Ukraina.
Ata shprehen se do të vazhdojnë të protestojnë sepse nuk kanë zgjidhje tjetër.
“Erdhëm këtu si gjithë të tjerët për të luftuar për të drejtat tona, për një jetesë më të mirë. Mora djalin tim me vete, ai e la shkollën sot, sepse edhe ai planifikon një të ardhme në bujqësi.”
“Ne protestojmë sepse duam që “Marrëveshja e Gjelbër” të hiqet sepse do të shkaktojë falimentim pasi kostot e saj nuk janë të krahasueshme me atë që korrim dhe me atë që paguhemi për të. Dhe kur bëhet fjalë për çfarë ne paguhemi për punën tonë, ajo është ulur nga fluksi i drithit nga Ukraina dhe ky është vendimi jonë të bllokojmë hyrjen e drithit nga Ukraina.”
Mes protestave, të cilat përfshinin bllokimin e kalimit kufitar me Ukrainën, rreth 160 ton grurë ukrainas u hodh në një stacion hekurudhor polak gjatë fundjavës, gjë që shkaktoi zemërim në Ukrainë. Kievi i ka kërkuar Polonisë të ndëshkojë përgjegjësit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka bërë të ditur se është e rëndësishme që Ukraina të mbajë marrëdhënie të ngushta me Poloninë, por Kievi është i gatshëm të mbrojë bizneset që janë dëmtuar nga bllokadat kufitare nga protestuesit polakë. Kryeministri Donald Tusk dhe presidenti Andrzej Duda ka kërkuar që problemet e fermerëve duhet të rregullohen në nivel të BE-së.
Klan News