Një aksident me makinë mbrëmjen e së Enjtes i mori jetën 26-vjeçarit shqiptar Detar Tali Muça në Itali.
Mediat italiane shkruajnë se aksidenti u shënua në provincën e Piacenza të Italisë. I riu po drejtonte një furgon të kompanisë ku punonte dhe përplasja me një mjet të tonazhit të rëndë rezultoi fatale për të. Ai u dërgua në spitalin e Parmës në gjendje të rëndë shëndetësore, por fatkeqësisht ndërroi jetë 24 orë më pas.
Muça ishte një djalë i apasionuar pas futbollit dhe prej vitesh luante në mesfushë duke veshur fanellat e shumë formacioneve italiane, që nga ekipet e të rinjve Derthona e deri te Garbagna e Audax Orione S.Bernardino.
Lajmi për vdekjen e tij i tronditi të gjithë, teksa shumë ekipe sportive i dedikuan shkrime në rrjetet sociale. Prej 3 vitesh ai mbante veshur fanellën e Sale dhe luante në Kategorinë e Parë.
Drejtori i kësaj skuadre, Alberto Del Conte shprehu ngushëllimet ndaj familjes së tij për humbjen e madhe.
“Jemi pa fjalë! Ky lajm na ka tronditur”, tha ai për Radio Gold.
Miqtë do ta kujtojnë këtë të premte duke u lutur në Katedralen e Tortonës, në orën 21.30./tvklan.al