Përmbytje të mëdha në Zelandën e Re

Qyteti i goditur më rëndë është qyteti Nelson ku dëmet materiale janë të pallogaritshme

Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje në perëndim dhe veri të Zelandës së Re për të tretën ditë radhazi, duke detyruar qindra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Autoritetet atje bëjnë të ditur se qytetarët në më shumë se 230 shtëpi në Nelson, një qytet me një popullsi prej më shumë se 50,000 banorësh, tashmë janë evakuuar.

Kryetarja e bashkisë së qytetit, Rachel Reese, e përshkroi situatën si një ngjarje që ndodh një herë në 100 vjet ndërsa është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Shumë banorë u panë me lopata në dorë për të zhbllokuar rrugët ndërsa ishin dëshmitarë të shkatërrimit të pronave të tyre pasi stuhitë e fundit të shiut kanë përkeqësuar më tej situatën. Moti i keq ka detyruar linjat ajrore të anulojnë fluturimet dhe mbylljen e bizneseve.

Zyrtarët në qytetin Nelson paralajmëruan se shirat e vazhdueshëm pritet të shkaktojnë më shumë rrëshqitje të tokës, përmbytje dhe evakuime të qytetarëve.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share