Përkujtimi i Azem Hajdarit, Berisha: Rama kontraktoi McGonigal për të shkatërruar ëndrrën e tij

Këtë të Shtunë në selinë e PD është zhvilluar një aktivitet me rastin e 60 vjetorit të lindjes së Azem Hajdarit.

Sali Berisha u shpreh në fjalën e tij se Azem Hajdari është ende i gjallë mes demokratëve dhe kujtoi me nostalgji takimin e parë me të në 1990-ën.

Edi Rama kontraktoi si vrasës me pagesë njënga njerëzit më të fuqishëm të zbulimit të SHBA-së, McGonigal për të shkatërruar PD-në për të shkatërruar ëndrrën e Azem Hajdarit”, theksoi Berisha.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Fjala e plotë e Berishës:

Sot ne jemi mbledhur këtu për të festuar 60-vjetorin e ditëlindjes së Azem Hajdarit, njërit prej figurave më të shquara në historinë e lirisë së shqiptarëve. Njërit prej tribunëve të lirisë të kombit tonë. Njeriut që me guximin e tij, ia doli të kontribuojë më shumë se kushdo tjetër, në përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërrimin e sistemeve, ndërrimin e epokave në Shqipëri. Ditën që e përcollëm në banesën e fundit, nuk vajtuam dhe brohoritëm: Azem, ti je gjallë!Takimin tim të parë me Azem Hajdarin e kam pasur më 9 dhjetor 1990.

Me Besnik Mustafën, shkuam të bashkohemi me studentët dhe në Rrugën e Elbasanit, një masë prej 700-800 studentë protestonin. Mbi ta ngrihej si lider një djalë, student, bashkëmoshatar me ta, ngrihej mbi supet e tyre dhe brohoriste: Poshtë diktatura, poshtë dinastia, e duam Shqipërinë si gjithë Europën.

Për ne që sodisnim, ai ishte një mbinjeri, një legjendë, ai po bënte rrugëve të Tiranës, atë që nuk e kishte bërë kush në një gjysmëshekull. Shqipëria në vitet 90 nuk ishte e qetë. Shkodra e nisi me demonstratën për heqjen e busteve të satanëve, Kavaja skuqi rrugët e saj me gjakun e të rinjve kundër diktaturës.

Heronjtë e 2 korrikut e përmbysën Murin e Berlinit në Tiranë, por shoqëria vazhdonte letargjinë e saj. Nuk i mbështeti, nuk i përkrahu. Dhe ata regjimi i nisi me procesion ushtarak jashtë vendit.

Kështu që pas saj, në Shqipëri por jo vetëm, në Europë dhe më gjerë, predominoi mendimi se Shqipëria do mbetej Kuba e Adriatikut, Shqipëria do mbetej kështjella e socializmit, siç e cilësonte regjimi. E përmend shpesh dhe prapë do e përmend, në një intervistë që jep Verner Daum, ish-ambasador gjerman në atë kohë, një mik i madh i kombit shqiptar, që bëri gjithçka për suksesin e 2 korrikut, ai dëshmon se qeveritë tona, kancelaritë tona, nuk ishin dakord me trazimin e Shqipërisë.

Fatalisht kishin pranuar specifikat e paraqitura nga regjimi komunist si një ndëshkim për shqiptarët, por lavdi Zotit, nuk kishte këtë mendim Azem Hajdari, nuk kishin këtë mendim bashkëluftëtarët e tij. Problemi është se kush do dilte në shesh të mejdanit dhe ky ishte Azem Hajdari me një grup studentësh, i cili u ngrit dhe i tha diktatorit se kemi dalë në këtë betejë për fatet e kombit. Nga ai moment, ai mbeti një udhëheqës i pavdekshëm i lirisë së shqiptarëve.

Azem Hajdari u shndërrua në një avokat të Kosovës dhe lirisë së saj. Azem Hajdari, lëvizja studentore, solli pluralizmin dhe themeloi PD-në. Njëkohësisht solli në qendër jo vetëm lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si kombi më i shtypur i planetit, por edhe çështjen kombëtare, e tradhtuar dhe injoruar tërësisht nga Tirana zyrtare. Ai u shndërrua në një avokat të pamposhtur të vlerave në të cilat besonte. U shndërrua në një avokat të pamposhtur të lirive dhe të drejtave njerëzore në Shqipëri. U shndërrua në një avokat të Kosovës dhe lirisë së saj.

Ekzekutimi i Azem Hajdarit ishte hakmarrja më primitive e bijve të etërve, pushtetin e të cilit ai përmbyti. Sot, Azem Hajdari është frymëzim për çdo shqiptar. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se të mos kuptosh, të mos ndjesh, të mos reagosh ndaj të keqes që pushton gradualisht të gjithë qenien tënde./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share