Përfundoi debati për shkarkimin e zëvendësministrave

Në Kuvend sonte përfundoi debati për shkarkimin e zëvendësministrave të Mbrojtjes, të Bujqësisë dhe të Arsimit. Mbledhja, siç tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi do të vazhdojë nesër në orën 14. Në rend dite të kësaj mbledhje është edhe zgjedhja e zëvendësministrave të rinj.

Në vazhdimin e sontëm të mbledhjes së 104-t, folën vetëm deputetët e VMRO-DPMNE-së. Deputetja Rashela Mizrahi i tha kryeministrit Dimitar Kovaçevski se pas qeverisjes së LSDM-së do të ketë përgjegjësi sistemike, financiare dhe sociale. Mizrahi tha se në vend po ndodh një kolaps total në të gjitha sferat.

Deputetja përkujtoi se Kovaçevski rregullisht e ka vizituar selinë e VMRO-DPMNE-së dhe ka pyetur nëse e ka ndërruar retorikën “nëse nuk mund t’i fitosh, atëherë bashkohuni me ta” vetëm për të qenë afër pushtetit pa marrë parasysh se kush është.

Sipas deputetes Maria Petrushevska nga VMRO-DPMNE kjo Qeveri në mungesë të rezultateve gjithnjë bën përpjekje të fshihet nën petkun e integrimeve evropiane.

“Shuplaka evropiane për këtë koalicion të ri qeveritar erdhi pikërisht dje. Ambasadori austriak tregoi qartë duke iu referuar një letre, por edhe anëtarëve të Komisionit për Çështjet Evropiane, në të cilën ju thotë qartë se po keqpërdorni flamurin evropian për interesa biznesi, gjegjësisht për një ligj që ka nuk ka të bëjë me rregulloren evropiane. Është mohim i qartë se kjo Qeveri vështirë se mund të punojë për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, tha Petrushevska.

Mbledhja për rikonstruimin e Qeverisë po zhvillohet tashmë në javën e tretë. Mbrëmë ishin zgjedhur ministrat e rinj nga Aleanca për Shqiptarët dhe LSDM-ja, ndërsa nesër pritet të votohet për shkarkimin e zëvendësministrave dhe të fillojë debati për zgjedhjen e zëvendësministrave të rinj.

Kryeministri Kovaçevski për zëvendësministra i propozon Tiron Jajagën në Ministrinë e Mbrojtjes, Viktorija Avramovska Madiqin në Ministrinë e Drejtësisë, Vjollca Berishën në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Maja Manolevën në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Agim Nuhiun në Ministrinë e Arsimit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share