Përfaqësues i BDI-së në grupin punues për ndryshime Kushtetuese do të jetë Arbër Ademi

Deputeti Arbër Ademi do të jetë përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim në grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshime kushtetuese. Sonte në mesnatë skadon afati që partitë dhe institucionet parlamentare të propozojnë përfaqësuesit e tyre në grupin punues për ndryshimet kushtetuese.

Ministria e Drejtësisë do të shpallë nesër përbërjen e grupit punues për ndryshimet në Kushtetutë. Afati i dhënë nga Ministria e Drejtësisë për institucionet dhe partitë politike në shkresën për të emëruar përfaqësuesin e tyre në grupin e punës skadon në mesnatë.

Sipas informacioneve të fundit, grupi punues duhet të ketë nga gjashtë deri në tetë ekspertë. Partitë politike dhe institucione të caktuara publike tashmë kanë bërë të ditur emrat e personave që do t’i përfaqësojnë.

LSDM sot në një konferencë për shtyp njoftoi se në grupin punues do të përfaqësohen nga Cvetanka Ivanova, sekretare aktuale e përgjithshme e Kuvendit dhe ish-deputete. Aleanca për Shqiptarët njoftoi se përfaqësues i partisë në grupin punues për ndryshime kushtetuese do të jetë deputeti Remzi Mehmedi. Sipas informacioneve përfaqësues të tij në grupin ka emëruar edhe Besa.

VMRO-DPMNE, Altenativa, e Majta, PSM dhe Lidhja Demokratike njoftuan këtë fundjavë se nuk do të marrin pjesë në grupin punues.

Në opinion janë bërë të ditur emrat e ekspertëve, por për momentin nuk ka informacion zyrtar se cili prej tyre do të jetë pjesë e këtij grupi punues. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk do të shpallin emra deri në skadimin e afatit, sonte në mesnatë.

Në letrën e Ministrisë së Drejtësisë është përgjigjur i pari presidenti Stevo Pendarovski, i cili konfirmoi se përfaqësues i tij në grupin punues për ndryshimin e Kushtetutës do të jetë profesori i Fakultetit Juridik, Aleksandar Spasov, i cili është këshilltar i tij juridik, ndërsa zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, tha se SÇE do të marrë pjesë aktive në grupin punues dhe se emri i përfaqësuesit që do të përfshihet në grupin punues do të përcaktohet dhe do të shpallet më së voni deri të hënën. Në grupin punues, ekspertët e saj duhet t’i emërojë edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share