Përfaqësimi i shqiptarëve në armatë – katastrofal?!

VETËM NJË UDHËHEQËS SEKTORI, 14.1% OFICER TË LARTË

Tre vite pas anëtarësimit të vendit në NATO, armata po modernizohet, por përfaqësimi i shqiptarëve nuk është aspak në nivel, percjell KlanM deklaraten e Zv/Ministrit te Mbrojtjes, Tiron Jajaga, dhene ne Klan Debat.

”Në Ministrinë e mbrojtjes ekziston një numër shumë i vogël i përfaqësuesve. Flas për shqiptarët. Kemi sektorë ku numri i shqiptareve është jashtëzakonisht i vogël” – tha Tiron Jajaga.

Zëvendësministri Jajaga deklaroi se përfaqësimi është i vogël, por nga numrat nënkuptohet se në pozita të rëndësishme është katastrofal. Vetëm 1 shqiptar udhëheqës në 18 sektorë që janë në Ministrinë e mbrojtjes, e oficer janë vetëm 14%.

”Në Ministrinë e mbrojtjes ka disa sektorë, nga 18 sektorë kemi vetëm 1 shqiptar udhëheqës sektori. Përfaqësimi i shqiptarëve në administratë arrin 17%, domethënë larg asaj që realisht duhet të jetë. Në aspekt të ushtrisë, në përfaqësuesit e lartë ushtarak, oficer kemi 14.1%. Nën nënoficer kemi 23.82%. Kur vijmë tek ushtarët profesional, këtu kemi përmirësim të gjendjes, këtu kemi 25% që i bie se në përgjithësi janë 21.18%” – tha Tiron Jajajga.

Zëvendësministri. sic njofton KlanM, thotë se ka dakordim me Ministren aktuale, Sllavjanka Petrovska që të punohet në këtë drejtim

”Tani kemi një dakordim me Ministren e mbrojtjes që të gjithë këto shqiptar duke mos pasur aspak parasysh cilit subjekt i përkasin, të ngritën aty ku e kanë vendin” – tha Tiron Jajajga.

Pikërisht në periudhën kur është dashur që të mbyllet tema e përfaqësimit adekuat në këtë resor, ministri ka qenë shqiptar. Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes prej në vitin 2011 deri në vitin 2013 ka qenë Fatmir Besimi, e më pas për 14 muaj edhe Talat Xhaferi. E më pas, pothuajse në çdo mandat, zëvendësministri ka qenë shqiptar, por deri më tani, asnjëri politikan shqiptar nuk ka arritur që ta mbyll këtë çështje. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Furkan Saliu

Lexo gjithashtu
Total
0
Share