Sylvinho me pak se 72 orë për të përgatitur Shqipërinë për transfertën çeke
Muaji Shtator rikthen në fushë edhe Kombëtaren Shqiptare të Futbollit. Kuqezinjtë i presin dy duele vendimtare për kualifikimin në Europianin e vitit të ardhshëm. Skuadra e Silvinjos do të sfidojë Republikën Çeke në transfertë më 7 Shtator dhe tre ditë më vonë pret Poloninë në ‘Air Albania’. 180 minuta tepër të forta për Shqipërinë, që nuk vijnë në momentin e duhur për futbollistët që mund të grumbullohen nga stafi teknik. Më pak se tre ditë do të ketë në dispozicion trajneri Silvinjo për të përgatitur skuadrën për duelin me Çekët, kryesuesit e grupit tonë kualifikues. Lojtarët kuqezi do të zbresin në fushë fundjavën e 2 dhe 3 Shtatorit, për të marrë më pas avionin në drejtim të grumbullimit me kombëtaren.
Më impenjative pritet të jetë rruga për Jasir Asanin, heroin e kuqezinjve në duelet e muajit Qershor ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Sulmuesi i krahut pritet të zbres në fushë të dielën me Guangju në Korenë e Jugut, teksa udhëtimi nga shteti aziatik drejt Shqipërisë zgjat rreth 1 ditë. Grumbullim impenjativ edhe për lojtarë që aktivizohen në Serie A italiane, konkretisht Ylber Ramadani, Ardian Ismajli dhe Etrit Berisha, të cilët do të luajnë duelet e kampionatit të dielën në mbrëmje. Minutat në duelet respektive do të ishin të domosdoshme për të kapur formën fizike nga ana e kuqezinjve, të cilët duhet të tentojnë për të marrë sa më shumë pikë në dy duelet e radhës për të prerë një gjysmë bilete për në turneun gjerman.
Klan News