Përballja me Poloninë, gazetari Erion Todhe raporton nga Varshava: Futbollistët e kombëtares janë optimistë

Shqipëria do të luajë të hënën në Varshavë kundër Polonisë për të nisur në këtë mënyrë fushatën kualifikuese për europianin. Gazetari Erion Todhe, përcolli gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë nga Varshava për edicionin e lajmeve në Tv Klan detaje të reja nga mbërritja e kombëtares sonë në Poloni. Ai u shpreh se futbollistët janë optimistë, të qetë çka tregon dëshirën e tyre për një rezultat pozitiv nesër.

“Atmosfera është shumë e mirë, futbollistët janë shumë optimistë, i kam parë të buzëqeshur, i kam parë të qetë, në harmoni me njëri-tjetrin. Kjo më tregon që kanë dëshirën e mirë për të bërë një ndeshje, për të marrë një rezultat të rëndësishëm. Rezultatin do ta vendosë fusha, por të paktën në atë që ata transmetojnë kuptohet që ka një dëshirë të mirë për të bërë një ndeshje të fortë nesër në mbrëmje, për të nisur mirë këtë fushatë kualifikuese të europianit”, raportoi Todhe.

Gazetari tregoi se ka pasur një interesim të madh të tifozëve në Varshavë. Skuadra kombëtare është pritur nga tifozë të shumtë shqiptarë që kanë kërkuar të bëjnë fotografi. Por interesim ka pasur edhe nga tifozët polakë.

“Interesimi do të jetë shumë i madh edhe për në stadium. Do të jetë një atmosferë shumë e madhe. Tifozëria polake njihet për atmosferën ndoshta edhe e teprojnë në disa raste ultrasit e skuadrave vendase”, raportoi gazetari.

Sylvinho pritet të dalë për konferencë për shtyp pasditen e kësaj të diele dhe do të jetë i shoqëruar nga Sokol Cikalleshi. Më pas do të zhvillohet seanca e fundit stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share