Trendet verore të grimit po na joshin për t’i provuar, por temperaturat e larta, lagështia dhe djersa janë ‘armiku’ i përditshmërisë. Askush nuk do donte që gjatë ditës apo në një event të shihte fondatinën duke rrëshkitur në fytyrë, sytë e nxirë apo buzëkuqin që nuk rri në vend. Për të shmangur çfarëdo incidenti me grimin në periudhën e verës, më poshtë gjenden disa këshilla të thjeshta.
Përdorni një hidratues oil-free
Grimi i aplikuar mbi një hidratues vajor do të duket i yndyrshëm ose i shtresëzuar ndaj është më mirë të zgjidhni një hidratues me bazë ujore. Hidratuesit pa vaj do ta mbajnë lëkurën të pastër dhe më pak të yndyrshme pas aplikimit të makijazhit si dhe parandalojnë aknet.
Kremi i diellit është domosdoshmëri
Përveç mbrojtjes, kremi i diellit vepron si një bazë rezistente për grimin duke e fiksuar në vend përgjatë ditës. Versionin në trajtë kremi mund ta zëvendësoni me pudër. Mbrojtësit ndaj diellit në këtë formë janë rezistentë ndaj ujit dhe e bëjnë grimin më të plotësuar.
Zgjidhni produkte rezistente ndaj ujit
Makijazhi kundër ujit është i krijuar për të rezistuar ndaj lagështisë sepse produkti ‘ngjitet’ pas qerpikëve, vetullave apo lëkurës. Në mënyrë që toni i syve, rimeli apo peneli të mos rrëshkasin përdorni produkte të këtij lloji.
Spraj fiksues
Me një të tillë, nuk do ju duhet të shqetësoheni se makijazhi po rrëshqet apo zbehet. Ky produkt fikson grimin si dhe ‘shkrin’ produktet me njëri-tjetrin duke e bërë lëkurën të duket më e ndritshme dhe natyrale.
Sasia
“Shumë pak mjafton”. Në ditët e nxehta mbani mend këtë frazë që t’i kujtoni vetes se makijazhi minimalist ndihmon lëkurën të marrë frymë. Përdorni produkte që shërbejnë për disa gjëra si blush që mund ta aplikoni si ton sysh apo buzëkuq. Sa më pak shtresa në lëkurë, aq më mirë rezultati dhe shëndeti i lëkurës./tvklan.al