Pendarovski zyrtarizoi kandidaturën e tij për mandat të dytë

ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski zyrtarizoi kandidaturën e tij për mandat të dytë për zgjedhjet presidenciale. Ai tha se, kandidatura e tij është qytetare dhe theksoi se, ditëve të fundit ka marrë mbështetje publike për nominim për mandatin e dytë nga qytetarë, një pjesë e të cilëve personalitete publike, profesorë universitarë, punonjës të kulturës. Pendarovski pret që ditëve në vijim, të zyrtarizohet edhe mbështetja politike në lidhje me këtë vendim.

“Më 3 mars të dielën pres që edhe LSDM të formalizojë mbështetjen për kandidaturën time, ndërsa menjëherë më pas nga e hëna atë ta bëjnë edhe 10 partitë e tjera nga ai koalicion. Siç paralajmërova bëhet fjalë për kandidaturë qytetare, për këtë ju bëj thirrje gjithë qytetarëve që duke filluar nga 3 marsi, të japin mbështetje për kandidaturën time me dhënien e nënshkrimeve në zyrat rajonale të KSHZ-së” – Stevo Pendarovski, President i shtetit.

Pendarovski vlerëson se duhet që të kandidohet edhe për një mandatë, pasi mandatin e parë e ka kryer pa gabime strategjike dhe pa u përfshi në korrupsion.

“Pa asnjë aferë korruptive, asnjë rast të nepotizmit dhe konfliktit të interesit në lidhje me mua, familjen time, familjarët… Isha koordinator nacional dhe i kam udhëheqë negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në mandatin tim të parë, u anëtarësuan në Aleancë. Pres që në mandatin tim të dytë të anëtarësohemi në BE”  – tha Stevo Pendarovski, President i shtetit.

Kujtojmë se, lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski më herët deklaroi se pritet që Pendarovski të promovohet zyrtarisht për kandidat presidencial të LSDM-së, në kongresin e partisë të caktuar për të dielën, por pasi që vendimi për këtë të kalojë në Bordin Ekzekutiv dhe Qendror. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share