Presidenti Stevo Pendarovski priti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në takim u diskutua për rrjedhën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për fazat e ardhshme të negociatave, situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në dritën e agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës dhe pasojave ekonomike dhe energjetike që ai shkakton.
Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski u njoftua për pakon për mbështetje energjetike nga Komisioni Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke theksuar rëndësinë e solidaritetit evropian, ai përshëndeti ndihmën për të siguruar stabilitetin energjetik të rajonit tonë, që do të ndikojë në zbutjen e pasojave të krizës ekonomike.
Në takim, presidenti Pendarovski përshëndeti nënshkrimin në gjuhën maqedonase të Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për aktivitetet operative të kryera nga Agjencia për Rojet Kufitare dhe Bregdetare Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut (FRONTEX), e cila mundëson mbrojtje më të mirë të kufirit dhe sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë dhe të BE-së.
Lidhur me integrimet evropiane, presidenti Pendarovski theksoi se të gjitha institucionet shtetërore po bëjnë të gjitha përpjekjet për të përfunduar me sukses procesin e skriningut, si hap i parë në procesin e negociatave, dhe se vendi është i gatshëm të zbatojë reforma në kapitujt kyç.
Në këtë drejtim, ai falënderoi për mbështetjen e Komisionit Evropian dhe theksoi se dinamika e takimeve konfirmon përkushtimin dhe angazhimin e Bashkimit Evropian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor./KlanMacedonia/
Lexo gjithashtu
SHBA: Do të punojmë me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë që ta ruajnë Marrëveshjen e Prespës
SHBA do të punojë me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për të ruajtur përfitimet e Marrëveshjes së Prespës,…
12.07.24 13:43
Bekteshi: Mbi 7.000 vauçerë për inverterë për rritjen e efikasitetit energjetik
NUK NDRYSHON ÇMIMI I ENERGJISË ELEKTRIKE Deri në fund të muajit Prill është afati për marrjen e vendimit…
31.01.24 14:20
“Tuneli i arratisjes” kryelajm në rajon – ”vlojnë” rrjetet sociale
NUK MUNGON IRONIA, SHUMË KREATIVITET NËPËR RRJETET SOCIALE Skena filmi. Policia kishte zbuluar një tunel arratisjeje në Burgun…
22.03.23 13:49