Pendarovski – Osmani: E ardhmja RMV-së dhe Kosovës në familjen euroatlantike

SHKUPI ME MBËSHTETJE PËR ASPIRATAT EUROTLANTIKE TË KOSOVËS

Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë vend të rëndësishëm me rolin e tyre aktiv për të arritur stabilitet të përhershëm, fqinjësi të mirë dhe prosperitet ekonomik në këtë pjesë të Evropës – tha Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Sipas tij e ardhmja e përbashkët në strukturat euro-atlantike paraqet investim për stabilizim të mëtejshëm dhe prosperitet të Ballkanit Perëndimor.

“Dua ta riafirmoj qëndrimin tonë se mbështesim aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe RMV-ja është e gatshme t`i ndajë përvojat e saj lidhur me procesin e reformave. Mbështesim vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe aktivisht mbështesim pjesëmarrjen e Kosovës në formatet e ndryshme rajonale dhe kontinentale të bashkëpunimit”, tha Stevo Pendarovski.

Temë e pashmnagshme, padyshim se ishin edhe marrëdhëniet Prishtinë – Beograd.

“Përshëndesim marrëveshjen e arritur për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Dua të falënderoj pajtueshmërinë e Prishtinës dhe Beogradit që një session I rëndësishëm I dialogut të tyre, u mbajt në vendin tonë. Jemi të gatshëm që edhe në cilësinë e kryesuesve aktual me OSBE-në të ndihmojmë këtë process”, tha Stevo Pendarovski.

Vizita e Presidentes Vjosa Osmani në Shkup, vjen pas një jave jashtëzakonisht të suksesshme në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës. Por, Presidentja Osmani, paralajmëron për rreziqet nga ndikimi rus në Ballkan.

 “Megjithatë në rajonin tonë ka edhe shumë sfida, ka edhe tendenca për destabilizim të cilat nuk duhet ti lejojmë që të fitojnë. Gjithsesi Kosova vazhdon të koordinohet fuqishëm në këto përpjekje me aleat e partner në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, me qëllim stabilitetin afatgjatë”, tha Vjosa Osmani.

Nuk u harrua as edhe situata në veriun e Kosovës, ku sipas Presidentes Osmani, serbët në veri janë të shantazhuar nga struktura kriminale që dirigjohen nga Beogradi.

“Kjo mbi të gjitha ka përfshirë edhe qindra aksione për të luftuar korrupsionin dhe krimin e lartë të organizuar në veri të Kosovës i cili organizohet nga grupe kriminale të cilat janë në Listën e zezë të SHBA-së dhe të Mbretërisë së bashkuar. Por ju keni plotësisht të drejtë që këto veprime duhet të shtohen dhe natyrisht që do të shtohen edhe më tej sepse institucionet tona e kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët tanë. Siç e dini, serbët në veri të Kosovës janë të frikësuar, të kërcënuar dhe të shantazhuar pikërisht nga këto struktura kriminale të dirigjuara nga Beogradi”, tha Vjosa Osmani.

Dy presidentët kanë biseduar edhe për situatat e brendshme në të dyja vendet, procesin e integrimit evropjan dhe për mundësinë e thellimit të këmbimit tregtar midis dy vendeve, I cili vitin e kaluar ishte 482 milion euro, kurse Kosova është në mesin e 20 vendeve me të cilët Maqedonia e Veriut ka bashkëpunim më të madh ekonomik./KlanMacedonia/

Përgatiti: Furkan Saliu

Lexo gjithashtu
Total
0
Share